“Punët e Shqipërisë shpesh herë mbulohen nga balta”, Balluku në Asamblenë e PS-së: Harrohen ato që kanë ndodhur në këto 13 vite

11/04/2026 17:08

Drejtuesja politike e qarkut të Fierit, Belinda Balluku, deklaroi në Asamblenë e PS-së që u mbajt në Lushnjë, se arritjet e qytetit kanë ardhur falë bashkëpunimit mes socialistëve në këto zona.

Ajo u shpreh se shpesh është hedhur baltë në punët që janë bërë në Shqipëri nga socialistët.

“Jemi takuar shpesh këto kohë për procesin e rienergjizimit, për të ndezur motorët për zgjedhjet lokale të 2027. Unë do ta nis duke ju falenderuar për punën e shkëlqyer, për arritjet që kemi bërë gjatë zgjedhjeve të majit 2025. Bashkia e Lushnjës është më fitoren më të thellë, pas asaj të Mallakastrës.

Po e përsëris edhe sot, se kjo ka ardhur në sajë të disiplinës së treguar dhe bashkëpunimit me njëri tjetrin, dhe mbi të gjitha dyerve të hapura të partisë sonë. Partia jonë vendosi të hapë dyert për prurje të reja, për atë që kemi biseduar bashkë.

Ky është një rast i mirë për të rienergjizuar partinë, por mbi të gjithash për të folur për punët e Shqipërisë, që shpesh herë mbulohen nga balta, harrohen ato që kanë ndodhur në këto 13 vite. Nuk është asnjëherë gabim për tu ulur dhe folur, pasi ka vend edhe për tu përmirësuar”, tha Balluku.

 

Top Channel