Nafta nga 217 lekë litri ra me 8 lekë duke bërë që ky produkt të fillojë të tregtohet për 209 lekë litri.
Një ndryshim ka patur dhe çmimi i benzinës duke rënë lehtë në 175 lekë litri nga 176 lekë i vendosur në mbledhjen e 10 prillit.
Ndërsa Bordi i Transparencës del me vendime të reja pothuajse çdo 24 orë, edhe çmimi në bursa i naftës ka ndryshuar. Nafta bruto brent ra në 95 dollarë për fuçi nga 97 një ditë më parë. Ndërkohë që brent përdoret si njësi referuese, çmimi i naftës në bursën Platts të Mesdheut, e cila është edhe bursa që tregu shqiptar i referohet, ka shënuar rritje ditët e fundit.
Ndërkohë këto ditë ka pësuar luhatje të ndjeshme, nga një rritje në 1527 dollarë për ton në 7 prill, ra në 1247 dollarë për ton në datën 8 duke vijuar më pas përsëri rritjen në 1402 dollarë për ton në 9 prill.
Bordi i Transparencës bën të ditur se vendimi për ndryshimin e ri të uljes së çmimit të naftës dhe benzinës hyn në fuqi prej orës 16 të së shtunës dhe do të jetë i vlefshëm deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Një hyrje në fuqi e reduktimit të akcizës me 20% sipas bordit do të jetë vetëm në rast se çmimi i shitjes me pakicë për gazolin do të kapërcejë 220 lek/litri, apo për benzinën më shumë se 200 lek/litri.
Ministria e Ekonomisë thekson se do të tërheqë vëmendjen e çdo operatori të shitjes me shumicë dhe pakicë të nënprodukteve të naftës mbi detyrimin e zbatimit të këtij vendimi.