De Laurentiis hidhet në sulm: E vështirë të konkurrojmë me Milan, Juventusin e Interin. Duhet një Serie A me 16 skuadra

11/04/2026 20:09

Nga Los Angeles ku u prezantua dokumentari Ag4in për titullin e katërt kampion në Serie A të Napolit, presidenti i klubit Aurelio De Laurentiis dha një intervistë të gjatë për CBS ku preku shumë tema në lidhje me rolin e tij në klub duke nisur që nga fillimi, kur e bleu Napolin.

‘Pas falimentimit, Napoli duhej blerë përmes një ankandi-tregon De Laurentiis-djali im Luigi dhe bashkëshortja ime Jacqueline më thanë: ‘Je gjë i çmendur? Nuk di asgjë nga futbolli!’, por unë jam njeri i biznesit dhe e doja këtë aventurë të re shumë argëtuese. Bleva një copë letre, nuk kishte lojtarë dhe nuk dija nga ta nisja. Rifilluam gjithçka nga Serie C, për mua ishte filmi më i mirë i jetës sime’

Dhe duke ikur para, për më shumë se 20 vjet, ja ku është titulli i katërt i Napolit, i dyti nën presidencën e De Laurentiis

‘Titulli i katërt ishte i bukur dhe unë isha shumë i emocionuar, deri në fund ishte si të jetojë në një kazino-shtoi De Laurentiis-të gjithë lojtarët luanin për fanelën, për Conten që bërtiste në çdo ndeshje dhe iu kërkonte të gjithëve që të mos dorëzoheshin kurrë. Ai është një motivues shumë i madh’

Mes protagonistëve ishte një super McTominay.

‘Scott është një skocez i vërtetë, është si një aktor; elegant, serioz, mik, një djalë i mirë-shtoi presidenti i Napolit-kam takuar shumë njerës në 22 vite në futboll, por Scott ka një personalitet të jashtëzakonshëm. Në të ardhmen në një film timin? Më mirë ta lëmë të luajë’

Edhe pse, për të konkurruar më të mëdhatë e tjera të kampionatit, De Laurentiis ndjen se ka bërë një gjysmë mrekullie.

‘Ne përfitojmë 1/3 e asaj që përfitojnë Milani e Interi, gjysmën e asaj që fiton Juventus, ¼ e Realit Manchester City dhe United-tha De Laurenttis-kështu është me të vërtetë e vështirë të jesh në konkurrencë me to. Ky është problemi, ne duhet të jemi të kujdesshëm në menaxhimin ekonomik të klubit për të konkurruar dhe për t’ua bërë të vështirë jetën të tjerëve’

Në përgjithësi, Aurelio De Laurentiis kërkon reforma të rëndësishmë dhe ‘lëshon shigjeta’ edhe në drejtim të kategorisë së agjentëvë të lojtarëve

‘Futbolli është vjetëruar shumë, duhet ta rinovojmë-tha presidenti i Napolit-brezat e rinj kanë pasion, por jo durim. Nuk ia dalin dot të rrinë 2 orë përpara televizionit. Në ndeshje ka vetëm një interval koti prej 15 minutash mes dy pjesëve dhe nuk e kuptoj pse? Dy pjesët mund të ndahen me perioda nnga 25 minuta secila dhe me një kohë efektive si në basketboll. Sot në futboll, janë agjentet që vendosin sa duhet rikuperuar, unë luftoj me FIGC sepse një arbitër nuk ishte i aftë, një tjetër është kështu-kështu…është një anarki. Futbolli është një industri dhe ata nuk e kuptojmë. Ne investojmë shumë para, janë shumë njerëz që flasin. Ashtu si agjentët që kujtojnë se janë pronarë të futbollit, kërkojnë shumë para, për çfarë? Vetëm për të firmosur një kontratë e për t’u zhdukur? Nëse një futbollist ka një problem, agjentët zhduken’

Shumë ndeshje e reduktojnë spektaklin.

‘Numri i ndeshjeve ka shpërthyer-tha De Laurentiis-UEFA do më shumë para dhe kështu i bën kompeticionet më të gjata. Pastaj, që nga ardhja e Mbretit Infantino kemi bërë Botërorin e Klubeve. Futbollistët nuk mund të luajnë 70 ndeshje në sezon, përndryshe është vetëvrasje. Mund ta bësh një sezon, por si mund të rezistojnë? Modric është 40 vjeç, është një futbollist fantastik, por nëse i thua: I dashur Luka, do që të luash 70 ndeshje në vit? Do të thoshte: ‘absolutisht jo’

Pra si duhet ndryshuar sistemi?

‘Paratë e fituara duhet të jenë të klubeve dhe jo të federatës, ky është dallimi i parë-vijoi De Laurentiis-sepse UEFA po bën shumë para, edhe FIFA. Ata thonë që i shpërndajnë por nuk është kështu. Gënjejnë, nuk thonë të vërtetën’

Po në Itali?

‘Prej vitesh po kërkoj kthimin e kampionatit me 16 skuadra dhe jo 20-tha De Laurentiis-Reduktimi i ndeshjeve të lejon të kesh 2 muaj kohë për të stërvitur kombëtaren. Pastaj, pse nuk ka një siguracion nëse një futbollist dëmtohet? Ata duan lojtarët tanë? Të paguajnë. Përse duhet t’i jap falas? Janë në pronësi timen, jo të tyren. Për Italinë e eliminuar, Gravina donte të mbrohej, Gattuso nuk dinte ku të shkonte apo çfarë të thoshte, është një ankth. Për të pasur sukses duhet të jesh i relaksuar’

Përsa i përket kreut të FIGC, De Laurentiis, nuk citon direkt emrin e Giovanni Malago, por tashmë dihet se ish kreu i CONI është kandidati i preferuar i presidentit të Napolit. ‘Nuk duhet një ish futbollist, por dikush që mund të flasë politikisht me qeverinë për të siguruar diçka që nuk e kemi pasur kurrë. Për të zgjidhur problemet fiskale dhe burokratike. Kemi nevojë për persona me kredibilitet që mund të flasin me ministra për të zgjidhur problemet’-tha De Laurentiis

Top Channel