E ardhmja e Robert Lewandowskit është ende për t’u shkruar. Sipas të përditshmes ‘El Mundo Deportivo’ sulmuesi polak tashmë është në dijeni të ofertës së Barcelonës pas takimit që pati agjenti i tij me drejtuesit e klubit katalanas. Janë shumë ekipe që në javët e fundit po nxitojnë që të bindin Lewandowskin dhe kështu agjenti i tij duhej të mësonte planet e Barcelonës për 37 vjeçarin.

Joan Laporta, presidenti i klubit blaugrana, shnpjegoi gjatë fushatës së tij për zgjedhjet presidenciale se kërkonte rinovimin me Lewandowskin. Por duke marrë parasysh moshën e futbollistit dhe prioritetin e Barcelonës për të blerë një qendërsulmues dhe një mbrojtës të majtë në merkaton e verës, ideja e blaugranave ishte ofrimi i rinovimit për një vit me një pagë shumë inferiore nga ajo që përfiton aktualisht.

Me propozimin e Barcelonës, por edhe të Milanit, që në orët e fundit ka përshpejtuar lëvizjet, Juventusit, Chicago Fire dhe të disa klubeve arabe, do të jetë momenti që Lewandowski të vlerësojë të gjitha ofertat bashkë me familjen e tij. Prioriteti i polakut ishte të qëndronte te Barcelona duke vënë përpara jetën komode dhe të lumtur me familjen e tij në qendrën katalanase, ndaj ofertave ekonomike superiore.

Duke qenë se është shumë kompetitiv, Lewandowski është i gatshëm të ndërmarrë edhe një rol të dytë si futbollist i Barcelonës, por gjithnjë kur përpara tij të jetë një sulmues i nivelit të lartë. Gjithsesi, duke qenë se janë shumë klube që pretendojnë të kënë shërbimin e tij, Robert Lewandowski i dha afat vetes fundin e muajit për të vendosur se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm. Numërimi mbrapsht për të mësuar për të ardhmen e tij ka filluar.

Top Channel