“Camp Nou” do të jetë skena e derbit të shumëpritur të javës së 31-të në La Liga, ku Barcelona pret rivalin lokal Espanyol, në një sfidë të mbushur me rivalitet dhe emocione.

Barcelona hyn në këtë përballje si kryesuese e kampionatit me 76 pikë, ndërsa Espanyoli renditet në vendin e dhjetë me 38 pikë dhe synon të surprizojë në një ndeshje që gjithmonë ka peshë të veçantë për tifozët. Sipas raportimeve të “Mundo Deportivo”, skuadra e drejtuar nga Hansi Flick ka vendosur një objektiv ambicioz: fitimin e titullit me 100 pikë.

Me tetë ndeshje të mbetura deri në fund dhe 76 pikë të grumbulluara, katalanasit duhet të fitojnë të gjitha sfidat për të arritur këtë shifër historike. Vetëm dy herë në historinë e La Liga-s një skuadër ka kaluar kufirin e 100 pikëve, dhe të dyja herët kjo arritje lidhet me Barcelonën.

Në sezonin 2012–2013, nën drejtimin e Tito Vilanova, katalanasit dominuan kampionatin me 32 fitore, katër barazime dhe vetëm dy humbje, duke shënuar plot 115 gola. Lionel Messi ishte lider absolut me 46 gola, ndërsa skuadra arriti të shënojë në çdo ndeshje të sezonit.

Ndërkohë, Real Madrid ishte ekipi i parë që arriti kuotën e 100 pikëve në sezonin 2011–2012, nën drejtimin e José Mourinhos. “Los Blancos” e mbyllën atë edicion me 121 gola të shënuar, ndërsa Cristiano Ronaldo ishte protagonisti kryesor në sulm.

Tashmë, Barcelona e Flick përballet me një sfidë të madhe për të hyrë sërish në histori. Programi i mbetur është i vështirë, me ndeshje ndaj kundërshtarëve si Espanyol, Celta Vigo, Real Madrid dhe Real Betis në shtëpi, si dhe transferta kundër Getafe, Osasuna, Alavés dhe Valencia. Rruga drejt rekordit nuk është e lehtë, por objektivi është i qartë: një sezon perfekt për të rikthyer dominimin dhe për të shkruar një tjetër kapitull të artë në historinë e klubit katalanas.

Top Channel