“Do t’i shërbej shtetit”/ Thaçi nga paraburgimi në Hagë: Garën politike e kam lënë pas, por jo jetën politike
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në shqyrtim të parë projektligjin për çmimet tavan. Projektligji u soll me procedurë të përshpejtuar në një seancë të jashtëzakonshme të thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje pasditen e së premtes, gjë që u kundërshtua nga opozita.
“Për shkak të rëndësisë së jashtëzakonshme që ky projektligj ka për qytetarët dhe me qëllim që të jepet mundësia që edhe deputetët gjatë ditëve në vijim të japin kontributet e tyre kemi paraqitur që të shqyrtojmë në seancën e sotme”, deklaroi shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci.
Partia Demokratike e Kosovës u deklarua se nuk do e mbështesë shmangien nga procedura. “Jemi kundër dhe mbi të gjitha znj. kryetare, pyetja që bëjmë ne si grup pse është urgjente me i shqyrtu ligjet kaq të rëndësishme të Kosovës me procedurë të përshpejtuar?”, tha Përparim Gruda, deputet i PDK-së.
Ndërkohë, shefja e grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku – Sadriu akuzoi partinë në pushtet se për qëllime elektorale po përshpejton procedurat për miratimin e dhjetë projektligjeve.
“Kjo është shmangie nga përgjegjësia e secilit deputet në sallë, ligjet nuk janë dokumente teknike që kalohen si provime, s’janë as për numra, as për qëllime elektorale, por janë kontrata për me ua ndreq jetën secilit qytetar”, deklaroi Lushaku – Sadriu në seancën e pasdites së të premtes.
Projektligji për Masat e Përkohshme të Produkteve Themelore në Raste të Veçanta të Destabilizimit në Treg u miratua në parim me 63 vota për, vetëm nga deputetët e Vetëvendosjes.
Në mungesë të ministres së linjës, Mimoza Kusari – Lila, ekspozeja e projektligjit u prezantua nga Hekuran Murati, ministri i financave që tha se synohet që të mbrohet konsumatori në rast të destabilizimit të tregut, duke përfshirë edhe listën e produkteve bazë çmimi i të cilave mund të monitorohet.
“Projektligji e themelon Bordin e Pavarur për masat e përkohshme për rregullimin e çmimeve. Ky bord është organ i pavarur, është organi më i lartë vendimmarrës në këtë fushë, emërohet nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe i raporton kuvendit”, tha Ministri Murati.
Ky projektligj i njohur edhe si projektligji për çmimet tavan ishte kthyer prapa nga Gjykata Kushtetuese që pas vlerësimit konstatoi se në katër nene ishte në kundërshtim me kushtetutën e për këtë, kritikat e opozitës ishin të ashpra.
Arben Mustafa, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës tha se me këtë projektligj ekzekutivi po synon të pengojë funksionimin e tregut të lirë.
“Ky ligj nuk ka për synim me ulë çmimet, ky ligj ka për synim me i ofru kësaj qeverie një ndikim të drejtpërdrejtë në tregun në Kosovë dhe më këtë ka me u pengu funksionimi i tregut të lirë”, tha Mustafa.
Ndërkohë që Hykmete Bajrami e LDK-së u shpreh se pushteti me këto veprime po e rikonfirmon se vendi është drejt zgjedhje të reja.
“Ju rrini komplet indiferent në kohë të inflacionit, ndodhë inflacioni, mandej ndërmerrni masa në kohë zgjedhjesh kinse përballje me inflacionin, por ato janë për blerje të votave”, u shpreh deputetja Bajrami.
Sa i përket autoritetit mbikëqyrës që parashihet me këtë projektligj, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri tha se është tërësisht politik.
“Dy njerëz i çon Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, tre i përzgjedhë qeveria, të pestët bashkë vijnë këtu, ju i keni 63 deputetë, a është e vërtetë kjo? Jemi tu folë për një trupë, puro partiake”, u shpreh Tahiri në emër të grupit të tij parlamentar.
Me mocion për shmangie nga procedura, parlamenti vendosi që deri më datë 20 prill komisionet parlamentare të shqyrtojnë në lexim të dytë këtë ligj.
Me procedurë të përshpejtuar në seancën e pasdites, Kuvendi miratoi edhe projektligjet për Sigurimin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Kontabilitet, Raportim Financiar dhe Auditim, Projektligjin për Shërbimet e Pagesave, për Lojërat Mesdhetare XXI Prishtina 2030 dhe për Financimin e Menaxhimit të Resurseve Ujore.
Seanca e jashtëzakonshme është duke vazhduar.
Top Channel