Ndalimi i gjykimit ose dënimit të dyfishtë për të njëjtën vepër penale, Gjykata Kushtetuese dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve diskutime

10/04/2026 16:30

Gjykata Kushtetuese dhe Dhoma Kombëtare e Avokatëve zhvilluan një konferencë ku u diskutua ndalimi i gjykimit ose dënimit të dyfishtë për të njëjtën vepër penale.

Ky parim garanton që një person nuk mund të përballet më shumë se një herë me drejtësinë për të njëjtën çështje, nëse ka një vendim përfundimtar.

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Fjona Papajorgji, theksoi se sfidë mbetet interpretimi dhe zbatimi i këtij parimi, sidomos në rastet kur ndërthuren juridiksione të ndryshme.

“Në një kohë kur sistemet juridike ndërveprojnë gjithnjë e më shumë mes tyre, sfidat që lidhen me interpretimin dhe zbatimin e këtij parimi bëhen edhe më komplekse, veçanërisht në kontekstin e ndërthurjes së juridiksioneve kombëtare dhe atyre ndërkombëtare. Në këtë kuadër, rëndësia e këtij forumi qëndron jo vetëm në analizën teorike të standardeve kushtetuese, evropiane dhe ndërkombëtare, por edhe në trajtimin konkret të problematikave që hasen në praktikën gjyqësore, si dhe në identifikimin e rrugëve për një qasje më të unifikuar në zbatimin e ligjit”, u shpreh Papajorgji.

Gjyqtarja Marsida Xhaferllari e cilësoi atë një garanci për mbrojtjen e individit dhe barazinë para ligjit, duke paralajmëruar për rrezikun e abuzimit në mungesë të kufijve të qartë.

“Kur një çështje është zgjidhur me vendim përfundimtar, individi duhet të jetë i sigurt që ajo nuk do të rihapet pafundësisht. Pa këtë parim, askush nuk do të kishte qetësi ligjore, sepse mund të ndiqej vazhdimisht për të njëjtin fakt. Së dyti, parimi mbron individin nga abuzimi i shtetit. Pushteti penal është shumë i fortë dhe, në mungesë kufijsh, mund të përdoret në mënyrë të padrejtë për të ndjekur vazhdimisht një person derisa të arrihet një dënim”, u shpreh Xhaferllari.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu u shpreh se gjykatat duhet ta zbatojnë këtë rregull sipas standardeve europiane.

Parimi është i parashikuar edhe në Kushtetutën e Shqipërisë si një garanci për të drejtat e individit.

Top Channel