Drino mbulohet nga mbetjet/ Ndotje alarmante në Gjirokastër, rrezikohet edhe lumi Vjosa

10/04/2026 12:27

Shtrati i lumit Drinos vijon të jetë i tejmbushur me mbetje të ndryshme, duke u kthyer në një nga problemet më shqetësuese mjedisore për zonën e Gjirokastrës.

Megjithëse aktualisht nuk ka rrezik për përmbytje, ndotja mbetet në nivele alarmante. Përgjatë shtratit të lumit vërehen grumbuj mbeturinash që dëmtojnë rëndë ekosistemin, ndotin ujërat dhe prishin pamjen natyrore të zonës.

Situata bëhet edhe më serioze për faktin se lumi Drinos derdhet në Vjosa, duke bërë që gjithë ndotja të përfundojë në një prej lumenjve më të rëndësishëm dhe të pastër në vend. Kjo përbën rrezik jo vetëm për faunën dhe florën, por edhe për komunitetet që varen nga këto ujëra.

Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse për pastrimin e lumit dhe marrjen e masave konkrete për të parandaluar hedhjen e mbetjeve në të ardhmen.

Ndërgjegjësimi i qytetarëve dhe përgjegjshmëria institucionale mbeten kyçe për të mbrojtur këtë pasuri natyrore.

Top Channel