70 dele mes banesave, pleshta, miza dhe erë e rëndë. Ndërhyrja e Fiks Fare detyroi largimin e tufës së bagëtive nga lagjja në Himarë

10/04/2026 20:50

Një problem që kishte zgjatur prej vitesh në lagjen Cakua në Himarë, më në fund gjeti zgjidhje pas ndërhyrjes së emisionit investigativ “Fiks Fare”.

Banorët e zonës, të udhëhequr nga Napolon Prifti, kishin ngritur vazhdimisht shqetësimin për praninë e një tufe të madhe me dele dhe dhi – rreth 70 deri në 100 krerë – të mbajtura shumë pranë banesave.

Sipas banorëve, situata ishte bërë e padurueshme: erë e rëndë, zhurmë e vazhdueshme, pushtim nga pleshtat dhe mizat, si dhe mbetje të bagëtive që ndikonin drejtpërdrejt në cilësinë e jetës. Problemi rëndohej edhe më shumë gjatë sezonit veror, kur hapja e dritareve bëhej e pamundur dhe zona humbiste tërheqjen për turistët.

“Çdo muaj spërkasim shtëpinë me vajguri për pleshtat, nuk flejmë dot. Kemi bërë ankesa në bashki, në polici, kemi mbledhur firma si lagje, por askush nuk na ka kthyer përgjigje,” shprehet Prifti në denoncimin e tij.

Banorët kishin tentuar edhe zgjidhje me mirëkuptim duke komunikuar drejtpërdrejt me komshiun, por pa sukses. Edhe ndërhyrjet sporadike nga shërbimet veterinare nuk kishin sjellë asnjë rezultat konkret.

Pas transmetimit të rastit, “Fiks Fare” iu drejtua Bashkisë Himarë, ku drejtori i policisë bashkiake pranoi se situata ishte “alarmante”. Ai sqaroi se ishte njohur me rastin dhe kishte ndërmarrë hapa konkretë, duke përfshirë edhe Policinë e Shtetit. Pronarit të bagëtive i ishte kërkuar fillimisht largimi vullnetar, ndërsa më pas i ishte vendosur një afat dyjavor për të marrë masa.

Vetëm një javë pas ndërhyrjes së “Fiks Fare”, situata mori kthesë: pronari i tufës u bind dhe vendosi t’i largojë bagëtitë nga zona e banuar, duke i zhvendosur jashtë qytetit.

Ky rast nxjerr edhe një herë në pah rëndësinë e reagimit institucional në kohë, por edhe rolin e medias në zgjidhjen e problemeve që prekin drejtpërdrejt jetën e qytetarëve. Për banorët e lagjes Cakua, kjo ndërhyrje solli më në fund atë që kishin kërkuar prej kohësh: qetësi dhe një jetë normale në shtëpitë e tyre.

FOTO GALERI
2/5

Top Channel