“Lëvizje e duhur nga Gjykata Lartë”, Ndreca: Tentativa për të paraburgosur kaq shumë persona, në Shqipëri shifrat 60%

09/04/2026 21:49

Avokati i kryebashkiakut, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka folur në “Top Story” për nismën e Gjykatës së Lartë rreth ridiskutimit të vendimit unifikues të vitit 2011 për praktikën e masës së sigurimit të arrestit me burg dhe kohëzgjatjen e saj.

Ai u shpreh se në vendet europiane shifrat e paraburgimit janë 20%, ndërsa në Shqipëri arrijnë në shifrat 60% sipas tij.

Ndreca ndër të tjera e gjykon veprimin e Gjykatës së Lartë si të vonuar, duke shtuar se “gjykatat shqiptare e ka në mentalitet paraburgimin”.

“Mendoj që është një veprim i vonuar sepse edhe siç e thamë, në shifra është përmbysur niveli i të burgosurve dhe të paraburgosurve. Në vendet e tjera paraburgosja është në shifrat 20%, ndërsa në Shqipëri të paraburgosurit janë 60%.

Është tentativa për të paraburgosur kaq shumë persona. Në çdo standard europian, përgjithësisht 3-4 muaj është prezumimi, më pas shtrëngohet roli i prokurorisë. Në mënyrë periodike duhet të dëshmojë në gjykatë, por tek ne nuk ndodh.

Ka shumë raste që nuk ndodh, por edhe në ato që ndodh është shumë formale. Vendimi i Gjykatës së Lartë është i vonuar, ne kemi marrë disa shuplaka në Strasburg. Pyetjet që ka bërë kryetari i Gjykatës së Shkallës së Lartë shkon në linjë me kodin penal, tregon që do të ketë ndryshime. Gjykata e ka në mentalitet paraburgimin“, tha Ndreca.

Top Channel