Juventus-Spalletti, së bashku deri në 2028, ja kur do të bëhet njoftimi zyrtar
Juventus po përgatitet për një verë të nxehtë në merkato, pas rinovimit të kontratës së trajnerit Luciano Spalletti.
Me çështjen e stolit tashmë të zgjidhur, drejtuesit bardhezi po fokusohen te përforcimet për sezonin e ardhshëm, me synimin për të rritur cilësinë, eksperiencën dhe personalitetin e skuadrës.
Një nga objektivat kryesorë është porta, ku pritet largimi i Michele Di Gregorio dhe Mattia Perin. Emri më i përfolur për zëvendësimin e tyre është ai i Alisson Becker, aktualisht pjesë e Liverpool.
Sipas raportimeve, kontaktet e para mes Juventusit dhe portierit brazilian kanë qenë pozitive. 33-vjeçari, i cili ka punuar më parë me Spallettin te Roma, është i hapur për një aventurë të re në Europë, megjithëse nuk përjashton as opsione të tjera si MLS apo kampionatet arabe. Rinovimi i fundit i kontratës së tij me Liverpoolin deri në vitin 2027 shihet më shumë si një lëvizje strategjike nga klubi anglez, sidomos pas investimit për Giorgi Mamardashvili.
Por merkatoja e Juventusit nuk ndalet te porta. Në mesfushë, Spalletti ka vënë në shënjestër Ederson nga Atalanta. Situata e brazilianit mbetet e ndërlikuar, pasi Atletico Madrid ka avantazh në garë, edhe pse kërkesa prej rreth 40 milionë eurosh e klubit bergamask po e ngadalëson marrëveshjen.
Në repartin ofensiv, gjithçka varet nga e ardhmja e Dusan Vlahovic, i cili mund të qëndrojë nëse rinovon kontratën. Në të kundërt, në listë përforcimesh shfaqet edhe emri i Robert Lewandowski.
Juventusi synon të ndërtojë një skuadër konkurruese që në fillim të sezonit, duke i dhënë Spallettit të gjitha mjetet e nevojshme për të rikthyer klubin në majat e futbollit europian.
Top Channel