Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, dhe kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, kanë debatuar gjatë seancës së sotme plenare.
Shehaj ka folur për banorët e Rrjollit, për votat që ata i kanë dhënë partive të vjetra, PS dhe PD. Balla ka reaguar duke i thënë se ai është i vetmi që ka blerë vendin e deputetit në Kuvend.
Agron Shehaj: Jam këtu mbi një muaj pas përjashtimit të kërkuar nga Taulant Balla sepse fola për një çështje, fola për Rrjollin. Aty ku e lash, aty po e rifilloj prapë në fakt, te Rrjolli. U përjashtova nga ky Kuvend sepse guxova të mbaj anën e qytetarëve. Që të flisja për ta, se si po dhunohen, se si po ju rrëmbehet prona. Por nëse ka një rast që shpjegon në mënyrë kuptimplotë se si kjo klasë politike ju ka marrë shpirtin qytetarëve shqiptarë, është rasti i Rrjollit. Po të hapësh kutinë e votimit në Rrjoll, 94% ka votuar për partitë e vjetra politike, për PS-në, PD-në.
Keni marrë vota Taulant. Ata 83 deputetë me të cilët mburresh ti janë 83, ose më mirë 86 le të themi, edhe falë votës së banorëve të Rrjollit që sot po protestojnë. 94% kanë votuar për partitë e vjetra, dhe ku janë sot, në përplasje midis banorëve që pretendojnë që një oligark, që ushtar i juaji sipas Belinda Ballukut, Bashkim Ulaj, bashkë me ish-drejtorin e hipotekës ju ka vjedhur pronën, me kë janë, pse nuk flasin. Ose nuk flasin ose i quajnë mashtruesa. Banori të një fshati të tërë, pasi ju kanë marrë votat u thonë jeni mashtruesa. Po mashtroni bashkim Ulajn.
Taulant Balla: Unë e kuptoj që ti… ( e ndërpret Shehaj)
Agron Shehaj (flet me mikrofon të fikur): Për Rrjollin thuaj diçka Taulant, për Rrjollin, për Bashkim Ulaj dhe ish-drejtorin e hipotekës, thuaj diçka.
Taulant Balla: Kur fole zotrote kishte zhurmë në sallë? Kur fole, nuk kishte zhurmë, duro tani. Ti je një person i dënuar me vendim për vjedhje të dhënash personale. Unë nuk e kam mik, e di kush është biznesmeni Bashkim Ulaj, është një biznesmen i djathtë. Është i respektuar, e ka nisur në ‘91 biznesin e vet. Është një nga biznesmenët më të mëdhenj në Shqipëri. E kam kritikuar nga kjo foltore kur kam pasur një rast të një investimi në zonën time zgjedhore që lidhej me cilësinë e punimeve, di që ka ndërhyrë të riparojë problemet. Nuk kam kërkuar, t’i ndërhyjë kurrë. Është mirë që ti që vjen vetë nga biznesi dhe të gjithë e dimë se si ke ardhur ti në politikë, ta kam thënë. Ti je i vetmi që ke ardhur në politikë duke e blerë vendin e deputetit. E ke blerë, ja ku i ke dëshmitarët. Shpresoj që do ta bind një ditë Lulin që të bëhet i penduar dhe të tregojë sa i ke dhënë për të hyrë në Parlament.
Top Channel