Pankina e Italisë, Capello ‘ngel në klasë’ Mancinin: Për mendimin tim është i skualifikuar

08/04/2026 11:41

Pasi u solidarizua me Gattuson dhe në të njëjtën kohë pasi kritikoi në mënyrë të drejtpërdrejtë dështimin e radhës së kombëtares italiane që për të tretën herë radhazi mbeti jashtë Botërorit, Fabio Capello thotë fjalën e tij edhe për të ardhmen e pankinës së Të Kaltërve.

Mes kandidaturave të përmendura është edhe ajo e Roberto Mancinit, një kandidaturë që ish trajneri i Milanit, Romës, Juventusit e Realit të Madridit e ngeli në klasë.

Pas fitores së Evropianit, Roberto Mancini u largua nga drejtimi i Italisë i tunduar nga oferta e Arabisë Saudite, një zgjedhje që u kritikua ashpër nga Capello që në këtë mënyrë likuidon kandidaturën e Mancinit për një rikthim të mundshëm në pankinën e Të Kaltërve.

‘E kam thënë edhe njëherë dhe po e përsëris; për mua Mancini është i skualifikuar-tha Capello.

Më pas Capello foli për kandidaturat e tjera duke motivuar preferencën e tij.

‘Ajo e Contes është një kandidaturë e mirë-vijoi Capello-nuk e di nëse audicionet janë mbyllur, mund të them se Allegri është tërhequr nga gara, ndërsa Conte u vetëofrua,  mua më duket ide e mirë’.

Top Channel