Pas tre viteve punë intensive në prapaskenë për koordinimin e ekipeve kombëtare dhe strukturave zinxhirë, Fulvio Pea ka njoftuar largimin e tij nga Shqipëria.

Eksperti italian, i cili erdhi me një bagazh të pasur nga futbolli ndërkombëtar (përfshirë eksperiencat te Interi dhe në Kinë), ka vendosur të mos rinovojë kontratën që e mbajti të lidhur me Tiranën që nga viti 2022.

Ardhja dhe misioni

Fulvio Pea u prezantua në krye të sektorit teknik në nëntor të vitit 2022, si një dëshirë e presidentit Armand Duka për të sjellë një mentalitet të ri në menaxhimin e futbollit shqiptar. Ai nuk erdhi thjesht si një drejtues, por si një arkitekt i strukturave, duke u fokusuar te rritja e moshave, trajnimin e trajnerëve të rinj dhe vëzhgimin e talenteve brenda dhe jashtë vendit. Gjatë kësaj periudhe, Pea ka qenë një pikë referimi për të gjitha ekipet kombëtare, duke punuar ngushtë me stafin e ekipit të parë dhe akademitë rajonale.

Postimi i plotë i Fulvio Pea-s

Në lamtumirën e tij, Pea zgjodhi fjalë mirënjohjeje, duke e cilësuar këtë eksperiencë si një fazë rritjeje personale dhe profesionale. Ai veçoi në mënyrë të veçantë raportin me kreun e futbollit shqiptar:

“Pas tre vitesh intensive dhe thellësisht domethënëse, koha ime si Drejtor Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit ka mbaruar. Mosrinovimi i kontratës sime ishte një vendim i menduar mirë, por një vendim që e mbaj me vete me shumë vetëdije. Këto kanë qenë vite sfiduese, ndonjëherë komplekse, por jashtëzakonisht formuese, të cilat më kanë lejuar të rritem jo vetëm si profesionist, por edhe si person.

Do të doja të shprehja falënderimet e mia të sinqerta dhe të përzemërta për Presidentin A. Duka, i cili për mua ishte shumë më tepër sesa një udhërrëfyes institucional: një Maestro i vërtetë. Besimi i tij, vizioni i tij, mësimet e tij dhe shembulli i tij kanë pasur një ndikim të thellë në karrierën time dhe do të mbeten një referencë e rëndësishme për të ardhmen time.”

Çfarë pritet tani?

Largimi i Peas lë një vakum të rëndësishëm në hierarkinë e FSHF-së. Pritet që ditët në vijim, Federata të bëjë publike hapat e radhës për zëvendësimin e tij, në një kohë kur fokusi i futbollit shqiptar është te konsolidimi i rezultateve të larta dhe integrimi i elementëve të rinj në arenën ndërkombëtare.

Top Channel