Tre banesa të ndërtuara në mënyrë të paligjshme mbi kanalin e ujërave të larta në qytetin e Vlorës janë prishur sot nga IMT. 

Aksioni u realizua nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT), në bashkëpunim me Policinë e Shtetit.

Në terren ishte e pranishme edhe kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Brunilda Mersini, e cila theksoi se ndërhyrja ishte e domosdoshme për lirimin e plotë të kanalit dhe rikthimin e kapaciteteve të tij funksionale.

Sipas saj, këto ndërtime kishin krijuar pengesa serioze në qarkullimin e ujërave, duke shkaktuar ndër vite përmbytje në zonat përreth.

Bashkia e Vlorës bën me dije se aksioni do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në pastrimin përfundimtar të kanalit nga çdo ndërtim i paligjshëm.

Njëkohësisht, autoritetet lokale sigurojnë se familjet e prekura nga ky proces do të trajtohen me mbështetje sociale, përmes përfitimit të bonusit të banesës dhe programeve të strehimit social.

Top Channel