“Na abuzoi seksualisht kur ishim fëmijë”/ Akuza të reja për Michael Jackson, avokati i familjes së legjendës së muzikës: Përpjekje e dëshpëruar për përfitim financiar

07/04/2026 22:57

Gati 17 vjet pas vdekjes së Michael Jackson, akuzat për abuzim seksual po rishfaqen pasi u publikuan foto të pabotuara më parë dhe një padi kolektive u ngrit nga anëtarët e familjes Cascio.

Sipas Daily Mail, fotot tregojnë “Mbretin e Popit”, i cili vdiq në vitin 2009 në moshën 50 vjeç, të ulur me Dominic Cascio, i cili në njërën nga imazhet ishte 9 vjeç. Cascio, tani i rritur, tha se fotot ngjallin emocione të forta tek ai, duke vënë në dukje se ai sheh “frikë dhe konfuzion” në fytyrën e tij dhe e lidh shprehjen e tij me traumën që ai pretendon se po përjetonte në atë kohë.

Dominic Cascio, së bashku me vëllezërit e motrat e tij Edward, Aldo dhe Marie-Nicole Porte, kanë ngritur një padi kundër kompanive dhe pasurisë së Jackson në gjykatën federale në Los Angeles. Dokumentet e gjykatës pretendojnë se këngëtari i drogoi, përdhunoi dhe abuzoi seksualisht paditësit kur ata ishin fëmijë, duke thënë se disa ishin vetëm 7 ose 8 vjeç.

Familja e kishte mbështetur më parë publikisht Jacksonin, edhe pas vdekjes së tij, duke deklaruar se nuk kishte ndodhur asgjë e papërshtatshme. Megjithatë, sipas raportimeve, ata tani pretendojnë se janë mashtruar dhe manipuluar, ndërsa qëndrimi i tyre ndryshoi pas publikimit të dokumentarit “Leaving Neverland” në vitin 2019. Gjithashtu raportohet se në vitin 2020 pati një zgjidhje për miliona dollarë.

Në padinë e re, familja pretendon se këngëtari u “ka shpëlarë trurin” dhe i ka detyruar të nënshkruajnë kontrata mashtruese për t’i heshtur. Dominic Cascio tha se ndjen trishtim dhe zemërim kur sheh fotot, duke theksuar se si baba nuk mund të durojë më të mendojë se ndonjë fëmijë mund të kalojë nëpër përvoja të ngjashme.

Avokati i pasurisë së Jackson, Marty Singer, tha se për dekada vëllezërit Cascio kanë këmbëngulur që këngëtari nuk i ka dëmtuar kurrë ata ose askënd tjetër, duke theksuar se pretendimet e tyre aktuale bien ndesh me deklaratat e tyre të mëparshme publike.

Pasardhësit e këngëtarit i kanë mohuar akuzat. Daily Mail raporton se avokatët i kanë quajtur pretendimet “një përpjekje e dëshpëruar për përfitim financiar”, duke vënë në dukje se vetë paditësit kanë pohuar publikisht për vite me radhë se Jackson nuk i kishte dëmtuar ata.

Top Channel