Largohet Esmeralda Bardhyli nga Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit, ja kush e zëvendëson

07/04/2026 13:44

Gazetarja Arta Marku është emëruar Drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, post të cilin më herët e ka drejtuar Esmeralda Bardhyli.

Këtë ndryshim e ka njoftuar vetëm ministri i Kulturës Blendi Gonxhja i cili ka listuar CV e gjatë të Markut, ndërsa ka falenderuar Bardhylin për punën e bërë deri tani.

“Gazetare dhe kritike letrare me një rrugëtim të gjatë dhe të konsoliduar në kulturë, Arta Marku e nisi karrierën në vitin 1993 me gazetën “Koha Jonë”, për të vijuar më pas në media të rëndësishme si “Gazeta Shqiptare”, “Shekulli” dhe “Panorama”, gjithmonë me fokus te libri dhe letërsia.

Ka drejtuar si kryeredaktore disa prej revistave më të njohura kulturore në vend, ndërsa prej vitit 2014 ka sjellë për publikun emisionin “Bibliotekë” në RTSH dhe “Palimpsest” në Radio Tirana. Përmes nismave si “AGORA”, ajo ka afruar letërsinë me publikun në hapësira të hapura dhe interaktive.

E angazhuar vazhdimisht në promovimin e leximit, ajo ka zhvilluar takime të shumta me nxënës në gjimnazet e Tiranës, si dhe ka qenë pjesë e jurive në çmime dhe konkurse të rëndësishme letrare.

Autore dhe përkthyese e disa veprave të rëndësishme, Arta Marku sjell në këtë detyrë një përvojë të pasur dhe një vizion të qartë për zhvillimin e librit dhe leximit në Shqipëri.

Një falënderim i veçantë shkon për ish drejtoreshën Esmeralda Bardhyli për punën dhe kontributin e saj të vyer ndër vite në këtë institucion”, shkruan Gonxhja.

Top Channel