Kombëtarja shqiptare e vajzave i është rikthyer punës për kualifikueset e Botërorit të 2027 që do të zhvillohet në Brazil. Të drejtuara nga Armir Grima, vajzat kuqezi u grumbulluan në Shtëpinë e Futbollit për të nisur përgatitjet për dy ndeshjet e radhës, që të dyja me përfaqësuesen uellsiane.

Në seancën e parë stërvitore morën pjesë 22 lojtare, ndërsa Alma Hilaj pritet t’i bashkohet ekipit në orët në vazhdim. Skuadra zbriti menjëherë në fushë, duke nisur punën me intensitet për këto dy sfida të rëndësishme.

Kombëtarja do të vijojë përgatitjet e saj në “Shtëpinë e Futbollit”, ndërsa të shtunën do të udhëtojë drejt Uellsit, ku më 14 prill, në orën 20:15, do të zhvillojë ndeshjen e parë të këtij muaji. Ndeshjen e dytë me uellsianet skuadra jonë kombëtare do ta luajë në 18 prill në ‘Elbasan Arena’ në orën 18:00.

Kombëtarja e vajzave është në grupin B1 të kualifikueseve dhe është në vendin e tretë me 3 pikë, ndërsa dy vendet e para mbahen pikërisht nga Uellsi dhe Çekia me nga 4 pikë secila

 

Top Channel