“Jam gati të ndihmoj menjëherë, në çdo mënyrë”/ Zbardhet biseda telefonike mes Orban dhe Putin për luftën në Ukrainë: Miqësia jonë arriti nivele…

07/04/2026 18:00

Kryeministri hungarez, Viktor Orban, i ka ofruar vitin e kaluar ndihmë presidentit rus Vladimir Putin “në çdo mënyrë”, përfshirë organizimin e një samiti në Budapest për zgjidhjen e luftës në Ukrainë.

Lajmi është raportuar nga Bloomberg News, duke iu referuar transkriptit të një bisede telefonike mes dy liderëve.

Orban, i cili është në pushtet që nga viti 2010 dhe njihet për qëndrimet e tij euroskeptike, përballet me një nga sfidat më të vështira për rizgjedhje në 16 vitet e fundit, në zgjedhjet e 12 prillit.

Pavarësisht luftës në Ukrainë, Orban ka ruajtur marrëdhënie të afërta me Putinin, si dhe varësinë e konsiderueshme të Hungarisë nga nafta dhe gazi rus. Ai gjithashtu ka bllokuar zbatimin e një kredie të Bashkimit Evropian për Ukrainën, duke përmendur një mosmarrëveshje me Kievin për një tubacion nafte të dëmtuar nga lufta.

Sipas raportimit, biseda mes Orbanit dhe Putinit u zhvillua në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte rënë dakord për mbajtjen e një samiti të dytë mbi luftën në Ukrainë në Budapest.

Në telefonatë, Orban i referohet Putinit si “mik”, duke theksuar se marrëdhënia e tyre daton që nga një takim në vitin 2009 në Shën Petersburg.

“Dje miqësia jonë arriti në një nivel aq të lartë sa unë mund të ndihmoj në çdo mënyrë, ka një histori në librat tanë me figura hungarezë ku një mi ndihmon një luan.  Jam gati të ndihmoj menjëherë… Në çdo çështje ku mund të ndihmoj, jam në dispozicionin tuaj”, citohet të ketë thënë ai sipas transkriptit.

Nga ana e tij, Putin shprehet se i vlerëson marrëdhëniet me Orbanin dhe sugjeron se Budapesti mund të jetë “ndoshta i vetmi vend evropian i pranueshëm” për një takim të mundshëm me Trumpin.

Në atë kohë, Hungaria deklaroi se do të garantonte hyrjen e Putinit në vend për një samit të mundshëm, pavarësisht urdhrit të arrestit ndaj tij nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, nga e cila qeveria e Orbanit është në proces të tërheqjes.

Putin vlerësoi gjithashtu qëndrimin e Orbanit, duke e cilësuar si “të pavarur dhe fleksibël” në lidhje me krizën në Ukrainë.

Publikimi i këtij transkripti vjen pas një tjetër materiali mediatik, ku në një audioklip të publikuar nga një media investigative dëgjohen ministri i Jashtëm hungarez, Peter Szijjarto, dhe homologu i tij rus, Sergei Lavrov, teksa diskutojnë mbi sanksionet e Bashkimit Evropian.

Top Channel