Problemi i ri fizik i Dusan Vlahovic ishte një ndër të pakta lajme negative që mori Juventusi pas fitores në shtëpi me Genoan. Spalletti e shfaqi të gjithë shqetësimin e tij përpara telekamerave dhe në një kohë kur janë bisedimet për rinovimin, çdo detaj mund të bëjë diferencën dhe këtu përfshihet edhe dëmtimi i radhës që do të shtyjë kthimin në fushën e lojës të sulmuesit serb me të paktën 2-3 javë.

Kjo, sepse shkalla e dëmtimit dhe koha e riaftësimit të futbollistit do të mësohet  vetëm pas ekzaminimeve mjekësore që Vlahovic do të kryejë gjatë kësaj jave

Dhe në këtë pikë, është e drejtë që të ngrihet pyetja nëse një dëmtim tjeter, ndoshta i një shkalle jo të vogël do të komplikojë planet për rinovimin e kontratës me të. Në këtë aspekt fjalët e Drejtorit Sportiv të Juventusit, Ottolini ishin të qarta. ‘Me Dusan kemi nisur të flasim pas rikthimit të tij nga dëmtimi dhe të dyja palët kanë shfaqur disponibilitetin për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për të kuptuar situatën-tha Ottolini-bisedimet vazhdojnë dhe për momentin nuk ka të reja’.

Pikërisht, pas dëmtimit sepse Juventus dëshiron të ketë garanci fizike nga një futbollist që është jashtë fushave të lojës praktikisht që nga 7 dhjetori(ka luajtur për 11 minuta vetëm në 21 mars). Për më tepër në lojë janë disa milionë euro dhe është e ndaluar që të merren rreziqe përsipër.

Ndërkaq, Zonja e Vjetër po vazhdon të studiojë merkaton për muajt e verës. Në shënjestër janë disa futbollistë të cilëve iu mbyllen kontratat me skuadrat e tyre respektive(Senesi, Bernardo Silva, Goretzka) por edhe ndonjë ish lojtar i saj si Kolo Muani. Synimi i Juventusit është që të përforcohet reparti offensiv dhe kjo konfirmohet edhe nga fakti që klubi torinez së fundmi ka bërë një sondazh edhe për Darwin Nunez që aktualisht është pjesë e Al Hilal. Cilësitë e uruguajanit 26 vjeçar nuk vihen në diskutim, por problemi qëndron te paga e tij, 20 milionë euro që është një pengesë e madhe.

Top Channel