Antonio Conte dhe Italia; nga mrekullia e Euro 2016 te lamtumira si trajner i Të Kaltërve

07/04/2026 17:13

Antonio Conte është një prej kandidatëve në pole position për pankinën e Italisë. Trajneri salentin pas fitores së Napolit ndaj Milanit nuk e fshehu dëshirën e tij për të drejtuar skuadrën e Të Kaltërve teksa tha se është e drejtë që emri i tij të jetë në listën e kandidatëve të kombëtares italiane, ambientin e së cilës ai e njeh mirë.

Në këtë pikë, media italiane rikujton historinë e Contes në drejtimin e Italisë

Conte trajneri i Italisë, shifrat. Eksperienca e Contes në pankinën italiane ishte e shkurtër, por intensive. Ai zëvendësoi Prandellin në vitin 2014 për ta lënë më pas skuadrën e Të Kaltëve në 2016 pas evropianit të atij viti. Edhe në atë kohë, Conte u thirr në apel në një moment kritik për kombëtaren italiane të futbollit që u eliminua që në fazën e grupeve në Botërorin e Brazilit në 2014, me Të Kaltrit që ishin në grup me Anglinë, Kosta Rikën dhe Uruguaji. Conte në një kohë të shkurtër ia ndryshoi fytyrën  dhe bilanci flet për 25 ndeshje të zhvilluara me 14 fitore, 7 barazime dhe 4 humbje

Euro 2016, ‘mrekullia’ e Contes me Italinë. Momenti më kulmor i Conte në pankinën e Italisë vjen në 2016 në Evropianin e Francës. Një rrugëtim thuajse historik për Italinë ai i atij kompeticioni me Të Kaltrit që u eliminuan në çerekfinale nga Gjermania vetëm pas serisë së 11-metërshave. Arritja deri në këtë fazë të kompeticionit u konsiderua si një sipërmarrje e madhe për Italinë duke parë përbërjen e skuadrës. E megjithatë, Italia e asaj kohe dinte si të pozicionohej në fushë aq sa arriti të mposhtë skuadra si Belgjika që ishte edhe numri 1 i renditjes botërore dhe Spanja. Një kompeticion ku Italia mbeti e pathyer në ndeshjet prej 90 minutash pasi mbylli një fushatë kualifikuese pa asnjë humbje: 7 fitore(2 nga të cilat kundër Norvegjisë) dhe 3 barazime

Nga Italia te Chelsea. Pak muaj përpara se të niste aventura e Euro 2016, Conte bëri të ditur lamtumirën e tij nga stoli i Italisë në fund të kompeticionit; e priste Chelsea me një kontratë shumë të pasur dhe premtimin për t’i krijuar një skuadër të rëndësishme. Conte, që në muajt e drejtimit të kombëtares italiane ndjeu mungesën e punës së përditshme në klub, pranoi propozimin e Bluve të Londrës. Më pas, në atë muaj në Francë, diçka ndryshoi në mendjen e tij; trajneri u shfaq i përfshirë në nivel emotiv siç nuk i kishte ndodhur kurrë në karrierë. Ai që e tregon këtë ishte festimi i shfrenuar pas fitores 2-0 ndaj Spanjës. Por kontrata me Blutë e Londrës ishte nënshkruar dhe pas eliminimit me penallti në çerekfinale nga Gjermania, Conte u largua në drejtim të kryeqytetit anglez

Top Channel