Protesta e studentëve në RMV, Kryetari i komunës së Tetovës premton zgjidhjen e çështjes: Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe

06/04/2026 14:45

Këtë të hënë një numër i lartë studentësh, por edhe qytetarë të komunitetit shqiptarë, përfaqësues politikë, kanë mbushur sot rrugët e Shkupit, ku kërkojnë që të bëjnë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kreu i lëvizjes Besa në Maqedoninë e Veriut, Bilal Kasami, reagoi për protestën e sotme, duke thënë se kërkesa e tyre është e drejtë, duke premtuar se kjo çështje do të zgjidhet. “Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe”, thekson ai.

Përmes një postimi në rrjetet ai akuzoi edhe elitën milionere të pushtetit që sipas tij, u përpoq ‘të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore.

I përgëzoj studentët për protestën dinjitoze dhe vetëdijen e lartë qytetare që e dëshmuan sot. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe, siç ju kam premtuar edhe në takimin tonë të parë, këtë çështje do ta zgjidhim. Për herë të parë pas pavarësisë së shtetit Provimi i Jurisprudencës do të mbahet edhe në gjuhën shqipe! Ndërsa elita milionere e ish-pushtetit, e cila tentoi të kontrabandohet në krye të kauzës së pastër studentore, sot dështoi keq. Ky popull i njeh mirë. Tinëzitë e tyre nuk kalojnë” tha ai.

Top Channel