Fiks Fare/ Qytetari paguan 800 euro për një dhomë gjumi, mobilieri zhduket

06/04/2026 20:50

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së hënës një problematikë mashtrimi, ku një familje e re porositi online një dhomë gjumi në një mobileri, por pronari i saj pasi mori kaparin u zhduk për muaj me radhë.

Erald Xheka tha se në datën 4 tetor 2025, ai dhe bashkëshortja kanë parë në internet për një mobilier. Donin një dhomë gjumi dhe disa rregullime. E kontaktojnë në telefon dhe pronari i saj i takon në Tiranë.

“Personi quhet Marsel Pepa. Ishte mobilieri në Elbasan. Vjen, bën matjet dhe më kërkoi 1600 euro për punën. Nga këto donte 800 euro parapagim. Ditën e nesërme, takohemi dhe i jap kaparin 800 euro, ia kam dhënë te Bulevardi i Ri, në këmbë, pa bërë një shkresë”, thotë Eraldi.

Ai shton se, data ka qenë 5 tetor 2025. “Më dërgon foton e pasaportës dhe më shkruan që puna bën 1600 euro dhe 800 mori kapar. Unë mobiliet do t’i merrja për 20 ditë. Kam toleruar dhe i thashë nga fillimi i dhjetorit. Dhe sot që flasim as mobiliet dhe as lekët skam marrë. Mobiliet i bleva diku tjetër. Unë i bie të kem rënë pre e një mashtrimi”, pohon i riu.

Më tej, qytetari pohon se për muaj me radhë ka tentuar të kontaktojë me mobilerinë. “Gjithmonë me pretekste, i kam gati po s’kam njerëz. Do më presësh dhe pak. Pastaj më tha i kam fije – fije dhe ti montoj. Në fillim të dhjetorit mua më lindi nusja, u detyrova dhe bleva mobilie të reja. Ato të vjetrat i hoqa dhe përfunduan për dru zjarri. Shkova bleva një dhomë gjumi të gatshme”, pohon ai, teksa shton se deri më tani s’ka marrë as “mobilie dhe as para”.

“Unë kam sikletet e mia jo të tyret. Fillimisht fola me Marselin dhe më pas me njerëzit e tij. Tani më nxjerr gruan në telefon. Paratë shpresoj, ja tani shpresa jeni ju”, përfundon Eraldi. Ai telefonon bashkëshorten e mobilierit, e cila i thotë se sot është e mërkurë dhe s’do ta mbyllim javën për t’i dhënë gjysmën. Ai e pyet se kur, ajo i përgjigjet se deri të dielën. Më pas ata lënë takim te rruga e Elbasanit, te një rrugicë ku ngjitesh në Qytetin Studenti. Ajo i thotë se të paktën gjysmën do t’ia japin.

Ai e pyet se ku është Marseli, ndërkohë ajo përgjigjet se tani merret ajo se ka probleme dhe do të ringrihet. Eraldi i thotë se po bën 6 muaj, vajti djali 3 muajsh. Ajo i thotë se më vjen zor. Më tej i thotë se tani duan të ringrihen dhe po e lë Marselin që të punojë i qetë dhe telefonat i ka ajo. Ajo i thotë se të shtunën do e lënë takimin, për t’i dhënë gjysmën.

Eraldi i kërkon të gjithë shumën dhe jo gjysmën. Ai i thotë se si do lekët kur të martojë djalin po tani. Ajo përgjigjet se ato s’janë asnjë gjë, po tani ata janë shumë keq. “Në falimentin që pësoj, është shumë”, i thotë ajo. Më pas lënë takimin për të shtunën në orën 14.00 te rruga e Elbasanit.

Ditën e shtunë, Eraldi tenton të komunikojë sërish me bashkëshorten. Ajo nuk ia hap telefonin dhe i shkruan se “ditën e hënë, ose të martën”. Më tej i shkruan se “javës tjetër, e dimë që është shtyrë shumë po taksirat javën tjetër”. Gjatë gjithë kohës, personat ia shtyjnë pagesën, jo sot e nesër, ndërkohë që fakt është se për 6 muaj me radhë, kjo familje e re është ndeshur me një rast tipik mashtrimi. S’ka marrë mobiliet dhe as pagesën mbrapsht.

Fiks Fare tentoi disa herë të kontaktonte me mobilerinë dhe pronarin e saj. Fillimisht, asnjë prej numrave të telefonit nuk ishte i arritshëm. Më pas, vetë Merseli kontakton me Fiksin. Ai tha se “do t’ia kaloj tani pagesën”. Nuk preferoi të japë shpjegime për vonesën, ndërsa tha se “t’më dërgojë një numër llogarie”. Në fakt, Eraldi ia kishte nisur disa herë numrin e llogarisë, por deri para se Fiksi të kontaktonte me mobilerinë, gjithmonë ishte anashkaluar dhe pagesa s’ishte kryer.

Në fund, Marseli i dërgon grupit të Fiks Fare një dokument, ku i transferonte qytetarit Erald Xheka shumën prej 850 eurosh!

FOTO GALERI
1/5

Top Channel