​Nga lotët në Prishtinë, tek triumfi ndaj “Mbretërve”/ Vedat Muriqi për Digitalb: Golin kundër Realit ua kushtoj të gjithë shqiptarëve

05/04/2026 19:40

Mbrëmë La Liga u gjunjëzua para ‘Piratit’ shqiptar! Në një natë që dukej se do t’i takonte yjeve të Real Madridit, Vedat Muriqi vendosi të shkruante vetë historinë.

Në minutën e 90-të, atëherë kur presioni peshon më shumë, sulmuesi ynë dërgoi topin në rrjetë duke i shkaktuar ‘Galaktikëve’ një disfatë të dhimbshme.

Por ky nuk ishte thjesht një gol trepikësh. Për Muriqin, ky realizim ishte një klithmë çlirimi. Vetëm pak ditë pas atij makthi ndaj Turqisë, ku ëndrra e Kosovës për finalen e Botërorit u ndal në mënyrë dramatike, Vedati tregon forcën e karakterit që e karakterizon.

Me 19 gola në këtë sezon, ai renditet menjëherë pas Kylian Mbappé, duke u konfirmuar si një nga ‘shpresat’ më të mëdha të kampionatit spanjoll.

Në një intervistë ekskluzive për DigitAlb dhe Procesin Sportiv dhënë për moderatoren Franceska Rustem menjëherë pas ndeshjes, ja si u shpreh heroi i mbrëmjes.

Edhe pse i lodhur nga udhëtimet e gjata dhe i ngarkuar emocionalisht nga zhvillimet e fundit me përfaqësuesen, Muriqi nuk e fshehu dot gëzimin, por as përulësinë. Për të, ky gol kishte një adresë të qartë: “Çdo shqiptar që ndjeu dhimbjen e eliminimit të dy kombëtareve tona”, tha Vedat Muriqi, futbollist i Mallorca-s.

Dedikimi i golit për?

“Për Kosovën, për shtetin tim. Për Shqipërinë, për të gjithë shqiptarët anë e mbanë botës që na përkrahën. Më vjen keq që nuk mundëm të kualifikohemi si Kosova ashtu edhe Shqipëria, por shpresoj ndonjë herë tjetër”.

Sulmuesi u ndal edhe te presioni i madh mediatik dhe debatet që pasuan humbjen ndaj Turqisë, duke kërkuar që tashmë kjo faqe të mbyllet përfundimisht.

“Vij nga udhëtimi, isha pak i lodhur. Kisha javë shumë emocionale. Pata telashe pas finales me Turqinë siç e keni parë në media, nuk dua të flas më shumë, dua ta mbyll këtë temë. Më duket se kisha pas nevojë për këtë gol, morëm tre pikë dhe jam shumë i lumtur”.

Dhe shifrat flasin vetë. Me këtë gol ndaj Realit, Muriqi ngjitet në kuotën e 19 realizimeve, duke mbajtur vendin e dytë në listën e golashënuesve më të mirë të La Ligës, duke lënë pas emra të mëdhenj të futbollit botëror dhe duke ndjekur vetëm Mbappé që kryeson me 24. Një përgjigje prej kampioni në fushën e lojës!

Top Channel