Nuk është asnjëherë vonë për të marrë dije. Ky është mendimi i At Fran Përlalës, 57 vjeç nga Mirdita.
Në fundjavë At Frani besimtarëve të Kishës Kotalike në Kodër Kuqe u jep mësime jetë, kurse nga e hëna në të premte meshtari është student i UBT, duke ndjekur leksionet e masterit shkencor për Inxhinieri AgroMjedisi.
“Kam mbaruar për inxhinieri miniere, më pas në 1997 kam hyrë në Kuvend, në ambientet kishtare, dhe aty kam studiuar 2 vjet për filozofi, 3 vjet teknologji dhe 2 vjet specializim. Tani jam në vit të parë të Masterit Shkencor Inxhinieri Agro-Mjedisi dhe po mundohem që të mësoj sa më tepër“, tha At Fran Përlala-student UBT.
Prej 30 vitesh, punën si prift ai e ka zhvilluar në zona të ndryshme rurale. Kontakti i përditshëm me fermerët, dhe nevojat e komunitetit e nxiti At Franin të studiojë tokën.
“Për shembull kur shkoj për të bekuar shtëpitë, u them që është e mira që kullota e bagëtisë të trajtohet në këtë mënyrë. Kjo tokën bën për të kultivuar këtë produkt. Dua të jap më të mirën për familjet shqiptare që të kenë dhe një ekonomisë sa më të mbarë”.
Një gjysëm shekulli jetë, i kanë kalitur priftit durimin për tu përshtatur me të renë.
“Fillimi ishte pak i vështirë nuk dija ku është klasa. Kurse këta të tjerët janë si bletët dhe e njohin zgjuan e tyre. Tani ndjehem pjesë e familjes dhe kohën me studentët e kaloj në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Ditën kur është student, veladoni i At Franit qëndron i varur në muret kishe. Veshja e zakonshme, i fal barazi.
“Zgjedhja nuk është e lehtë por ashtu sikur dëshirojë që të gjithë të tjerët të respektojnë lirinë time dhe unë dëshiroj që së pari të respektojë lirinë e të tjerëve”.
Hyjnorja inxhinierin e minierave e thërriti drejt dritës, në moshën 25-vjeçare. Para këtyre viteve diktuara i kish mohuar atij besimin në Zot.
“Isha shumë i ri 25 vjeç, them tepër i ri për kohën që ka qenë sepse nëse në atë kohë po të më flisje për një planet do ta besoja, por çështja e besimit ka qenë e paperceptueshme”.
Dashuria për dijen, premton se jeta akademike e At Franit nuk do të ndalet në UBT.
“Lui Paster thoshte pak shkencë të largon nga Zoti. Shkenca e plotë të bën përputhjen maksimale me Zotin!”
Top Channel