Gjirokastër, tkurret blegtoria/ Bie numri i bagëtive të imta, fermerët: Po përgjysmojmë tufat, janë rritur kostot dhe s’ka punëtorë

05/04/2026 13:14

Numri i bagëtive të imta në zonën e Gjirokastrës ka pësuar një rënie të ndjeshme vitet e fundit, duke reflektuar një fenomen më të gjerë që prek gjithë sektorin e blegtorisë në vend.

Aty ku dikur kullotat ishin të mbushura me tufa të mëdha deleje dhe dhish, sot mbeten vetëm pak blegtorë, kryesisht të moshës së tretë, që vijojnë këtë traditë të trashëguar prej dekadash.

Në fushat e Valarës, pamja është i trishtë, syri të kap vetëm të moshuar që kujdesen për tufat e tyre. Mes tyre janë edhe Idajet Jaupi dhe Asllan Gerbi, dy blegtorë me përvojë të gjatë, të cilët tregojnë se kjo punë nuk preferohet më nga të rinjtë.

Asllani, tashmë 80 vjeç, dhe Idajeti rreth të 60-ave, vijojnë të mbajnë gjallë këtë aktivitet, të cilin e kanë nisur mbi 30 vite më parë.

Megjithatë, vështirësitë janë shtuar. Të dy rrëfejnë se janë detyruar të reduktojnë për gjysmë numrin e krerëve, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, kostove në rritje dhe mungesës së interesit nga brezat e rinj.

Edhe pse subvencionet nga shteti nuk kanë munguar, ato nuk kanë qenë të mjaftueshme për të frenuar këtë rënie.

Sipas të dhënave të përgjithshme nga sektori bujqësor, në jug të vendit, përfshirë qarkun e Gjirokastrës, numri i bagëtive të imta ka pësuar ulje graduale vit pas viti.

Në nivel kombëtar, në dekadën e fundit është vërejtur një tkurrje me dhjetëra mijëra krerë, ndërsa në zona si Gjirokastra kjo rënie është edhe më e theksuar për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë rurale.

Blegtoria, dikur një nga shtyllat kryesore të ekonomisë familjare në këtë zonë, sot rrezikon të mbetet vetëm në duart e një brezi që po shkon drejt fundit të aktivitetit.

Top Channel