Lufta nuk ndalon “jetën”, iranianët e festojnë ditën e fundit të Novruzit në park

03/04/2026 14:09

Në parkun qendror të Teheranit, atmosfera ishte kaq normale së fundi, sa dukej sikur lufta atje, nuk ekziston.

Banorët e kryeqytetit iranian zgjodhën ta kremtonin mes gjelbërimit ditën e fundit të Vitit të Ri Pers, duke injoruar kërcënimet e Presidentit amerikan Donald Trump me bombardime që do ta kthejnë Republikën Islamike në “Epokën e Gurit”.

Shpërthimet që kanë tronditur këto ditë kryeqendrën e vendit, nuk i ndaluan qindra familje të dilnin për piknik, një skenë kjo që konstrastonte ndjeshëm me atë të shkatërrimeve nga bombat amerikane e izraelite. E enjtja shënoi ditën e 13-të dhe të fundit të festimeve të Novruzit, të njohur edhe si Sizdah‑bedar ose Dita e Natyrës. Tradita kërkon që kjo ditë të kalohet jashtë, për të larguar fatin e keq.

Ne duhet ta ruajmë këtë ritual në çdo rrethanë, edhe në situatën aktuale dhe pavarësisht shqetësimeve që ndjejmë. Pavarësisht mesazhit të Donald Trump, vendosa të dal në park për të qenë me njerëz, për t’u freskuar dhe për t’u ndjerë më mirë”, shprehet Roya Abhari, banore e Teheranit.

Ne po përpiqemi që pavarësisht luftës, të bëjmë një jetë normale. Lufta nuk na tremb”, thotë Hakim Rahimi, punëtor metali.

Parkjet e shumta të Teheranit, mushkëritë e gjelbra të një metropoli shpeshherë mjaft të ndotur, janë kthyer në strehëza të vogla normaliteti që prej fillimit të luftës në 28 shkurt. Vrapues, çiklistë dhe vizitorë të rastit ende mblidhen atje çdo ditë, pavarësisht rrezikut nga bombardimet.

Megjithatë, kërcënimi i Iranit të enjten për një hakmarrje “shkatërrimtare” nëse sulmet amerikane intensifikohen ringjalli frikën e përshkallëzimit të një konflikti që ka ndikim si rajonal, ashtu edhe në tregjet globale.

Top Channel