Kuba miraton amnistinë më të madhe të viteve të fundit, priten të lirohen më shumë se 2 mijë të burgosur

03/04/2026 07:57

Qeveria e Kubës ka njoftuar lirimin e 2,010 të burgosurve, në një nga amnistitë më të mëdha të viteve të fundit.

Vendimi u bë publik ditën e djeshme përmes gazetës zyrtare Granma, në një kohë kur ishulli përballet me presion të shtuar ndërkombëtar, veçanërisht nga administrata e Donald Trump.

Sipas autoriteteve, amnistia është dhënë mbi bazën e sjelljes së mirë, gjendjes shëndetësore dhe natyrës së veprave penale. Në mesin e të liruarve përfshihen të rinj, gra, persona mbi 60 vjeç dhe shtetas të huaj. Megjithatë, lista përjashton të dënuarit për krime të rënda si vrasje, sulme seksuale apo vepra kundër autoritetit.

Organizata Human Rights Watch ka theksuar vazhdimisht se Kuba arreston dhe ndëshkon disidentët, përfshirë aktivistë, gazetarë dhe kundërshtarë politikë.

Në të kaluarën, Havana ka ndërmarrë lirime të ngjashme si pjesë e marrëveshjeve ndërkombëtare. Në fillim të vitit 2025, Kuba liroi 553 të burgosur pas negociatave me Shtetet e Bashkuara dhe Vatikanin, gjatë të cilave administrata e Joe Biden u zotua për lehtësimin e disa sanksioneve. Kjo marrëveshje u anulua më vonë nga Trump, duke çuar në pezullimin e përkohshëm të procesit të lirimeve.

Njoftimi zyrtar nuk përmendi drejtpërdrejt SHBA-në, duke e lidhur vendimin me festimet fetare të Javës së Shenjtë dhe Pashkëve. Megjithatë, marrëdhëniet e tensionuara me Uashingtonin dhe masat e fundit ekonomike kanë rënduar ndjeshëm situatën në ishull.

Administrata Trump ka ndërmarrë hapa për të kufizuar furnizimin me naftë të Kubës, përfshirë veprime në Venezuela dhe kërcënime për tarifa ndaj Meksika, me synimin për të nxitur reforma politike dhe ekonomike në vendin e drejtuar nga komunistët.

Kriza energjitike në Kubë është përkeqësuar ndjeshëm, me mungesë të theksuar të karburantit dhe ndërprerje të shpeshta të energjisë elektrike. Në mars, vendi përjetoi dy ndërprerje totale të energjisë brenda një jave, duke lënë mbi 10 milionë banorë pa energji.

Situata ka ndikuar në jetën e përditshme: shkollat janë mbyllur përkohësisht, aktivitetet ekonomike janë kufizuar dhe disa fluturime janë anuluar për shkak të mungesës së karburantit.

Ndërkohë, një anije cisternë me flamur rus u lejua të hynte në ujërat kubane me miratimin e Trump, në një lëvizje të pazakontë që më pas u cilësua nga Shtëpia e Bardhë si jo ndryshim i politikës zyrtare.

Top Channel