Pas eliminimit për të tretën herë radhazi në playoffin e kualifikueseve të një Botërori, Federata Italiane u detyrua të bëjë një ndryshim, i nevojshëm për të rindërtuar sistemin e futbollit italian.

Akti i parë ishte dorëheqja e presidentit Gabriele Gravina në mbledhjen e zhvilluar me praninë e përfaqësuesve të Serie A, Serie B, Lega Pro, Liga Nazionale Dilettanti, Shoqatës së Trajnerëve dhe të Futbollistëve. Në një ditë kaq të rëndësishme vjen edhe një lajm i ri për të ardhmen e kombëtares italiane

Greqia konfirmon miqësore me Italinë

Në fakt Greqia bëri të ditur zhvillimin e një ndeshjeje miqësore me Të Kaltrit në 7 qershor. Kështu skuadra 4 herë kampione e botës do të kthehet në fushën e lojës për pauzën e fundit të ndeshjeve të kombëtareve përpara se të nisin pushimet pas mbylljes së kampionateve dhe kompeticionet evropiane. Ndërsa kombëtaret e tjera përgatiten për të nisur Botërorin në Amerikën e Veriut, Të Kaltrit do të  detyrohen të luajnë dy miqësore dëshpërimi, sic ndodhi në 2022 me ndeshjet kundër Shqipërisë dhe Austrisë. Në fund të muajit maj është parashikuar një grumbullim në Coverciano, i fundit për sezonin 2025/26.

Italia, kush do të jetë në stol ndaj Greqisë

Nëse ndeshja me Greqinë u bë e ditur, mbetet për t’u parë se me cilën skuadër do të luajë miqësoren e dytë Italia e për më tepër, do të duhet të kuptohet se cili do të jetë vendimi për postin e trajnerit. Shefi i Delegacionit, Buffon dha dorëheqjen, ashtu sikurse edhe presidenti Gravina, por zgjedhjet për kreun e ri janë programuar në 22 qershor. Për një situatë të ngjashme, ka një precedent që daton në 2018; Gigi Di Biagio caktohet si trajner i komanduar i Kombëtares italiane në 5 shkurt të 2018, pas dorëheqjes së Gian Piero Ventura që dështoi në kualifikimin e Të Kaltërve në Rusi 2018. Ai e drejtoi skuadrën e parë të Italisë në 2 ndeshje miqësore(humbje me Argjentinën, barazim me Anglinë) në mars 2018, për t’u kthyer më pas te U21, përpara se të vinte Roberto Mancini.

Pushimet dhe më pas kthehet Nations League

Me t’u zgjedhur presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit, do të duhet të marrë një vendim përfundimtar për postin e trajnerit të Të Kaltërve. Është e nevojshme që të zgjidhet personi që të do të duhet të nxjerrë Italinë jashtë një periudhe të tmerrshme për Evropianin e 2028 dhe të Botërorit 2030. Por impenjimi i parë i trajnerit të ri të përfaqësueses italiane do të jetë turneu i Nations Leage që do të nisë në fundin e muajit shtator. Një super pauzë për ndeshjet e kombëtareve me Italinë që do të zbresë në fushë 4 herë. Në Ligën A, Italia është në një grup ferri ku do të duhet të përballet me Belgjikën, Turqinë dhe Francën.

Top Channel