Në gjykatën Administrative ka nisur seanca ndaj prokurorit Ols Dado.
Gazetarja Anila Hoxha raporton për Top Channel se në sallë nuk është i pranishëm prokurori Ols Dado që është i padituri, por ka sjell avokat Erarbër Madhi.
Përfaqësuese e KLP-së në këtë seancë është Danja Hobdari. Në sallë janë Kryebashkiaku Veliaj dhe avokati i tij, Plarent Ndreca, ndërsa Presidenca përfaqësohet nga Sara Bërdëllima, ndërkohë që nuk është paraqitur avokatura e shtetit.
Pala paditëse kërkoi që të vijojë gjykimin pa prani të avokaturës së shtetit dhe kjo u pranua nga Gjykata.
Kjo seancë është përgatitore, për palët, e më pas do përcaktohet nëse do të sjellin provat. Në këtë seancë do të shikohen argumentet.
Avokati Plarent Ndreca shpjegoi se pala paditëse kërkon konstatimin e pavlefshëm të dekretit të presidentit të vitit 2008, duke sqaruar se nuk ka probleme kompetence apo juridiksionale, pasi bëhet fjalë për një akt individual që lidhet me marrëdhënien e punës së prokurorit. Ai theksoi se kriteret ligjore për këtë detyrë nuk janë përmbushur sipas provave të mbledhura, duke argumentuar se Ols Dado nuk ka përvojën e kërkuar si prokuror, gjyqtar, pedagog ose këshilltar ligjor.
Avokati Plarent Ndreca: Kërkojmë konstatimin të pavlefshëm të dekretit të presidentit të vitit 2008, nuk ka probleme kompetence, apo juridiksionale, se po flasim për një dekret presidenti që është një akt individual, që lidhjet me marrëdhënien e punës së prokurorit të Republikës, në këtë rast duhet të zgjidhet.
Kriteret e ligjit janë që ai duhet të ketë shkollën e magjistraturës, por ka një hapësirë kur ligji e lejon që të ketë ushtruar detyrën e prokurorit dhe gjyqtarit më parë, të ketë punuar si pedagog për 3 vite ose të ketë punuar si këshilltar ligjor. Nga provat që kemi mbledhur, nuk na rezulton ky fakt. Për këto arsye, ne mendojmë që kjo gjykatë është kompetente për të zgjidhur këtë mosmarrëveshje.
Ky prokuror ka sjellë pasoja të drejtpërdrejta mbi Erion Veliaj, duke i hequr të drejtën e lirisë. Pyetja thelbësore është: A është Ols Dado prokuror i Republikës së Shqipërisë? Kjo është një sfidë edhe për ju, i nderuar gjyqtar.
Sa i takon afateve të ankimit, referuar edhe praktikës së Gjykatës së Lartë, ky rast është specifik. Ne kemi kërkuar të konstatohet i pavlefshëm mandati i Ols Dado, po ashtu kemi kërkuar pavlefshmëri absolute edhe nga KLP, por ata kanë marrë një vendim pa vendim. Nëse konstatohet sot që një prokuror në vitin 2000 është dënuar me vendim të formës së prerë, KLP nuk qenka kompetente për t’i ndërprerë mandatin.
Po flasim për një akt absolutisht të pavlefshëm; në këtë rast mund ta kërkojë çdo institucion, meqë KLP-ja nuk ka marrë këtë vendim. Ne kërkojmë pavlefshmëri absolute të këtij akti. Kjo gjykatë ka tagrin për ta konstatuar këtë akt.
Top Channel