Pushimet janë shtrenjtuar/ Rritja e karburantit po ndjehet nga turistët, Durrësi ende pa ndryshime të mëdha çmimesh

02/04/2026 12:17

Rritja e çmimit të karburantit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në koston e pushimeve, të cilat këtë verë parashikohen më të shtrenjta.

Megjithatë, deri tani, bizneset përgjatë bregdetit të Durrësit nuk i kanë ndryshuar çmimet.

“Shqipëria është ende një destinacion i lirë. Edhe rritja e çmimit të naftës nuk pritet të sjellë më shumë se 5- 10% rritje. Në Durrës, 70-80% e dhomave janë të prenotuara. Besojmë në një sezon të mbarë”, u shpreh shefi i kuzhinës Arjan Braholli.

Këtë e konfirmojnë edhe turistët, ndonëse disa shprehen se janë përballur edhe me çmime të larta.

“Kënaqësi e madhe. Kafja ishte dhe më lirë se në Gjakovë. Fillim shumë i mirë sezoni”, u shpreh një vizitor nga Kosova.

“Kemi 9 vite që zgjedhim Shqipërinë për pushime. Jemi rikthyer shumë herë. Këtu gjejmë pastërti, rehati dhe një kuzhinë të shijshme. Për ne që vijmë nga Hungaria, çmimet janë të arsyeshme dhe të përballueshme”, u shpreh turistja hungareze.

“Të jem i sinqertë, si dikush që udhëton shpesh brenda dhe jashtë Evropës, mendoj se çmimet këtu janë pak të larta”, u shpreh turisti anglez.

Përveç mikpritjes, turistët vlerësojnë veçanërisht ushqimin vendas, produktet e freskëta dhe shijen e rafinuar të gatimit.

Ushqimi është shumë i mirë, ushqim i freskët dhe jo i shtrenjtë. Ndaj mendoj se për turistët është një vend super”, u shpreh një turiste tjetër.

“Kuzhina jonë dallohet për cilësinë dhe freskinë e produkteve, diçka që shpesh nuk e gjejnë në vendet e tyre”, u shpreh shefi i kuzhinës Arjan Braholli.

Me rritjen e vazhdueshme të çmimeve, operatorët turistikë përballen me sfidën për të ruajtur balancën mes çmimit dhe cilësisë, në mënyrë që Durrësi të mbetet një zgjedhje e preferuar edhe këtë sezon veror.

Top Channel