Portretizoi Putinin dhe Patriarkun rus në skena erotike, gjykata ruse dënon skulptorin gjerman me 8 vite burg

02/04/2026 20:06

Një gjykatë në Moskë ka dënuar në mungesë skulptorin gjerman Jacques Tilly me tetë vite e gjashtë muaj burg, për shkak të krijimeve të tij satirike dhe deklaratave publike.

Vendimi u dha më 2 prill nga Gjykata Basmanny, e cila e shpalli atë fajtor për përhapjen e “lajmeve të rreme” për ushtrinë ruse dhe për fyerje të besimtarëve fetarë.

Sipas medias së pavarur SOTAvision, rasti lidhet edhe me një intervistë që Tilly kishte dhënë për Deutsche Welle në vitin 2024, ku ai dënonte atë që i quante “krime të përgjakshme” të ushtrisë ruse në Ukrainë.

Gjykatësi Konstantin Ochirov vendosi që Tilly të vuajë dënimin në një koloni penale, të paguajë një gjobë prej 200 mijë rublash dhe t’i ndalohet administrimi i faqeve të internetit për katër vite. Megjithatë, vendimi nuk është i zbatueshëm, pasi artisti nuk jeton në Rusi.

SOTAvision raportoi gjithashtu se prokurorët paraqitën deklarata identike nga tre dëshmitarë, të cilët nuk u paraqitën në gjykatë, ndërsa një ekspert pretendoi se figurat në skulpturë përfaqësonin “pa dyshim” Presidentin rus Vladimir Putin dhe Patriarkun Kirill.

Tilly, i njohur për karnavalet e tij provokuese, i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar si një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Ai ka theksuar se veprat e tij synojnë të sfidojnë autoritetin politik dhe kanë vënë në shënjestër liderë të ndryshëm botërorë, përfshirë Putinin, Donald Trump dhe presidentin turk Recep Tayyip Erdogan.

Top Channel