Në pritje për të zbuluar se kush do të jetë presidenti i ri i Federatës Italiane të Futbollit(dorëheqja e Gravinës duket se është fakt i kryer), në këtë institucion e kanë një ide të qartë se kush do të jetë trajneri i ri i kombëtares italiane në vend të Gattusos.

Ideja është që në pankinën e Të Kaltërve të vijë një emër me peshë dhe në këtë pikë lista përbëhet nga 4 kandidatë: Antonio Conte, Roberto Mancini, Simone Inzaghi dhe Massimiliano Allegri, gjithnjë nëse krijohen kushtet që ata të mund të largohen nga klubet e tyre.

Antonio Conte e ka drejtuar Kombëtaren Italiane në Euro 2016 duke u eliminuar në çerekfinale nga Gjermania me 11 metërsha. Trajneri aktual i Napolit do të shihte me sy të mirë një rikthim në stolin e Të Kaltërve, por i duhet të bëjë llogaritë me De Laurentiis dhe nuk është aspak e sigurt që ky i fundit ta lejojë largimin e trajnerit salentin edhe për shkak të kontratës që skadon në 2027.

Simone Inzaghi ka edhe një vit në kontratën e tij me Al Hilal, por problemi i tij është paga prej 25 milionë eurosh në sezon. Është edhe massimiliano Allegri, emri i të cilit josh jo pak në Federatën Italiane të Futbollit. Për me tepër, idetë e livornezit që bashkojnë organizimin e mirë në fushë me rezultatet e mira, ndërthuren në perfeksion me kërkesat aktuale të Italisë. Por në këtë rast duhet kuptuar se çfarë mendon Milani që verën e kaluar nënshkroi me të një kontratë deri në 2027 me opsion rinovimin e saj edhe për një vit tjetër. Roberto Mancini është një tjetër emër që po lakohet. Italiani aktualisht është te Al Sadd, por ai nuk e ka fshehur kurrë se do të donte të kthehej në pankinën e Italisë për të marrë revanshin ndaj eliminimit kundër Maqedonisë së Veriut.

Ndërkaq në orët e fundit është shfaqur edhe një emër tjetër nga jashtë Italisë dhe sipas Gazzetta Dello Sport bëhet fjalë për Pep Guardiolën. Katalanasi do të largohet nga Manchester City, nuk ka probleme financiatre dhe mund te tentojë bastin e madh me ndihmën ekonomike të sponsorëve. Nuk na mbetet gjë tjetër veçse të shohim se çfarë do të ndodhë.

 

Top Channel