Rast i rëndë në Vlorë, qytetarja dhunohet në mes të ditës: E bëri fqinji i prindërve, më parë më kanë dhunuar babanë
Momenti i së vërtetës ka ardhur. Gabriele Gravina ka dhënë dorëheqjen zyrtarisht si president i Federatës Italiane të Futbollit (FIGC).
Ky ishte një hap i domosdoshëm pas katastrofës së Zenicës, e cila i kushtoi Italisë pjesëmarrjen në Kupën e Botës të tretë radhazi. Ish-numri një në futbollin italian dha dorëheqjen në prani të të gjithë aktorëve kryesorë në sistemin italian të futbollit gjatë takimit të mbajtur në selinë e FIGC në Romë.
Së bashku me dorëheqjen e tij, Gravina ka shpallur zgjedhjet më 22 qershor për të zgjedhur presidentin e ardhshëm të Federatës. Favoritët për ta pasuar atë janë Giovanni Malagò, Giancarlo Abete dhe Matteo Marani, megjithëse emërimi zyrtar do të bëhet afërsisht një muaj e gjysmë më vonë. Gravina do të mbetet në detyrë deri në emërimin e pasardhësit të tij.
Pas kësaj lëvizjeje, kriza në kampin “azzurri” është thelluar më tej. Edhe kreu i delegacionit të kombëtares, Gianluigi Buffon, ka njoftuar largimin e tij nga posti. Ish-portieri legjendar kishte menduar të tërhiqej menjëherë pas ndeshjes në Zenicë, por, sipas tij, i ishte kërkuar të priste.
“Tani që Presidenti Gravina ka zgjedhur të tërhiqet, ndihem i lirë të bëj atë që e konsideroj si një akt përgjegjësie. Ndërsa besoj sinqerisht se kemi ndërtuar shumë për sa i përket frymës së ekipit me Gennaro Gattuso dhe stafin, objektivi kryesor ishte rikthimi i Italisë në Kupën e Botës. Dhe nuk ia dolëm,” u shpreh Buffon.
Ai shtoi se largimi i tij është edhe një mënyrë për t’i hapur rrugë një fillimi të ri, ndërsa reflektoi mbi përpjekjet për të ndërtuar një projekt që lidh ekipet e të rinjve me kombëtaren A.
Ndërkohë, gjithnjë e më shumë po bëhet e qartë se radha mund të jetë edhe e trajnerit Gennaro Gattuso. Pas dështimit për të arritur objektivat madhorë, largimi i tij shihet si thuajse i pashmangshëm, duke hapur një tjetër kapitull të ri për përfaqësuesen italiane.
Ndërsa pritet të zyrtarizohet ndarja me Gattuson, brenda Federatës Italiane të Futbollit duket se ka një konsensus për profilin e trajnerit të ri: një emër i madh për të udhëhequr “azzurrët”. Lista përfshin figura të njohura si Antonio Conte, Roberto Mancini, Simone Inzaghi dhe Massimiliano Allegri.
Conte, që e ka drejtuar më parë Italinë në Euro 2016, do ta mirëpriste një rikthim, por mbetet për t’u parë nëse do të lirohet nga kontrata aktuale. Inzaghi, me një kontratë të majme te Al Hilal, paraqet një opsion të vështirë për t’u realizuar. Ndërkohë, Allegri konsiderohet një profil shumë i përshtatshëm për nevojat aktuale të skuadrës, ndërsa Mancini nuk e ka fshehur dëshirën për t’u rikthyer dhe për të “shlyer” eliminimin e dhimbshëm ndaj Maqedonisë së Veriut.
Trajneri i ri do të përballet menjëherë me sfida të mëdha, pasi Liga e Kombeve nis në shtator, ku Italia do të përballet me Belgjikën, Turqinë dhe Francën. Ndërkohë, për miqësoret e qershorit, një zgjidhje e përkohshme mund të vijë nga e kaluara, me Silvio Baldini që shihet si një kandidat i mundshëm për të marrë përkohësisht drejtimin e skuadrës.
Top Channel