Detaje rreth ngjarjes në Korçë/ I moshuari ishte i divorcuar, jetonte vetëm prej 25 vitesh, të gjithë familjarët në komisariat
Gjykata e Posaçme ka dënuar me 1 vit e 2 muaj burg Marim Lekën, i akuzuar për blerje votash për Partinë Demokratike në 2025.
Sipas hetimeve, Marim Leka i ka kërkuar dhe marrë Muharrem Toskës kartën e identitetit kundrejt premtimit të një shume prej 50’000 lekë, me qëllim për të favorizuar Partinë Demokratike në zgjedhje.
Njoftimi i GJKKO:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Gjykimin e çështjes penale që i përket procedimit penal nr. 75, të vitit 2025, në ngarkim të të pandehurit Marim Leka, i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal”.
Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Engjëllushe Tahiri, Atalanta Zeqiraj dhe Besmir Stroka, me vendimin nr. 27, datë 01.04.2026 vendosi:
Deklarimin fajtor të të pandehurit Marim Leka për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje” parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal, në zbatim të kësaj dispozite dënimin e tij me 1 (një) vit e 9 (nëntë) muaj burgim.
Në aplikim të nenit 406 të K.Pr.Penale uljen e këtij dënimi me 1/3, duke u dënuar përfundimisht i pandehuri Marim Leka me 1 (një) vit e 2 (dy) muaj burgim, vuajtja e dënimit nis nga dita e arrestimit apo ndalimit të tij.
Provat materiale të bashkuara me fashikullin e gjykatës, një cd me mbishkrimin “Nr.Marim Leka-M.T”, me përmbajtjen e të dhënave të bisedave ambjentale të zhvilluara midis të pandehurit Marim Leka dhe shtetasit M.T të asgjesohen pasi vendimi të marrë formë të prerë.
Top Channel