Kosova u ndal në momentin më magjik të saj teksa nuk mundi dot të presë biletën për në finale të Botërorit të kësaj vere pasi humbi me Turqinë me rezultatin 1-0.

Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi ka reaguar menjëherë pas këtij rezultati duke mos e fshehur mirënjohjen dhe krenarinë e tij për kombëtaren e Kosovës.

‘Jo çdo mbrëmje sjell rezultatin që e dëshirojmë, por çdo sfidë na bën më të fortë. Sonte, djemtë tanë dhanë maksimumin në fushë, me krenari dhe përkushtim për fanellën që përfaqëson një popull të tërë. Fati nuk ishte në anën tonë dhe, ndonëse nuk e merituam një rezultat të tillë, duhet të pranojmë se edhe humbjet janë pjesë e këtij rrugëtimi-theksonte Agim Ademi në një postim në rrjetet sociale-Megjithatë, ato nuk e zbehin as punën dhe as besimin tonë në këtë ekip. Jam i bindur se Gladiatorët dardanë do të rikthehen më të fortë, me më shumë vendosmëri dhe me të njëjtin shpirt luftarak që na ka sjellë deri këtu’.

Presidenti Ademi nuk harroi as të falenderojë të gjithë tifozët nga të gjithë trojet shqiptare për mbështetjen e dhënë për kombëtaren e Kosovës.

“Faleminderit tifozëve “Dardanët”, të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe vëllezërve tanë nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi e Lugina e Preshevës, por edhe bashkëatdhetarëve tanë kudo që jetojnë e veprojnë, për mbështetjen e pandalur. Kjo humbje dhemb, por qëndrojmë me kokën lart për gjithçka që kemi arritur. E ardhmja do të na sjellë shumë gëzime të tjera. Bashkë vazhdojmë përpara!”-mbyll postimin e tij Agim Ademi

Top Channel