Bilanci financiar i Newcastle në 30 qershor të 2025 rezultoi me një fitim prej rreth 40 milionë euro dhe në këtë bilanc figuron edhe shitja e St.James Park te kompania PZ Newco Ltd, e krijuar 3 javë përpara kryerjes së këtij transaksioni, e vlerësuar me mbi 150 milionë euro dhe që i përket Fondit Saudit të Investimeve Publike, PIF, që është pronare e klubit. Po kjo kompani ka blerë edhe Newcastle United Football Club Projects.

Këto transaksione janë të lejuara nga Premier League, por jo nga UEFA. Kështu që klubi anglez rrezikon që të thyejë normat e qeverisë së futbollit evropian. Duke mos marrë parasysh përfitimet nga shitja e stadiumit, humbjet e Newcastle  për periudhën tre vjeçare që u mbyll qershorin e kaluar i kalonin 200 milionë eurot. Chelsea dhe Aston Villa i kanë thyer normat e UEFA dhe u gjobitën respektivisht me 31 dhe 11 milionë euro.

Por jo vetëm kaq, UEFA e detyron gjithashtu Newcastle për të reduktojë përfitimet në merkaton e transferimeve duke qenë se ka kryer këto lëvizje me klubet që janë në pronësi të PIF. Për shembull Allan Saint-Maximin u transferua te Al Ahli për pak më shumë se 26 milionë euro. Një përfitim që UEFA e llogarit si nul. Po kështu ekziston një klauzolë tjetër që si Chelsea ashtu edhe Aston Villa nuk e respektuan vitin e kaluar, që klubet mund të shpenzojnë vetëm 70% të të ardhurave në paga për futbollistët, blerje dhe honorare për agjentët. Newcastle këmbëngul se shitja e stadiumit shërbeu për të ndihmuar në planet për zhvillimine St.James Park, jo për të dribluar normat financiare të UEFA. Por klubi e pranon se kjo lëvizje e ka ndihmuar të krijojë të ardhura për të kryer investime në merkato.

Tani me këtë situatë klubi do të jetë i detyruar të shesë disa prej lojtarëve më të mirë të tij. Edhe pse janë Bruno Guimaraes dhe Tino Livramento që përmenden më shumë për një largim të mundshëm nga Newcastle, ata që kanë më shumë mundësi që t’i thonë lamtumirë klubit anglez janë Anthony Gordon dhe Sandro Tonali dhe kjo sidomos pas deklaratës së Shefit Ekzekutiv të klubit David Hopkinson.

‘Strategjia jonë është të bëjmë blerje të mira dhe të shesim mirë-tha Hopkinson-të blesh mirë nuk do të thotë domosdoshmërisht të shpenzosh më shumë, do të thotë të punosh në merkato me futbollistët që mund të gjenerojnë më shumë vlerë klubit. Mund të bëjmë një blerje të madhe, por nuk do të mund ta bëjmë këtë pa shitur dikë dhe lojtarët që do të largohen do ta bëjnë sipas kushteve tona’.

Top Channel