Gjyqi i themelit për Erion Veliajn/ Shtyhet seanca, shkak mungesa e një prej të pandehurve. Zbardhen diskutimet brenda gjykatës

01/04/2026 10:00

Është seanca e tretë në Gjykatën e Posaçme me 30 të pandehur, e midis tyre Erjon Veliaj, dhe është shtyrë. Shkak është bërë mungesa e të pandehurit Fatjon Baci dhe avokatit të tij, i cili kishte paraqitur deklaratë për mungesën për shkaqe shëndetësore.

Ndaj gjykata njoftoi se seanca e radhës do të mbahet në datën 3 prill.

Trupës gjyqësore i deshën afro një orë për apelimin e palëve që të kuptonte se ishte në pamundësi të hapte procesin, ku priten të shqyrtohen akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Në situatën kur mungonte ish-polici i burgjeve Baci, gjykata urdhëroi shoqërimin e tij të detyrueshëm për seancën e radhës, ndërkohë që mbrojtësi i të pandehurit Fatmir Bektashi kërkoi veçim të çështjes përsa kohë procesi po zvarritet. Por për gjykatën kjo kërkesë duhet shqyrtuar në një moment tjetër, ndërsa për SPAK mungesa e policit, që dyshohet se i dha telefonin kryebashkiakut për të folur nga burgu, është një strategji për të shtyrë procesin, i cili sipas prokurorit ka tetë muaj i ngrirë.

Kjo deklaratë u kundërshtua nga avokati i Veliajt, i cili i kujtoi SPAK-ut se po ngatërrohet seanca paraprake me gjykimin e themelit. Avokati i kryebashkiakut tha se Erjon Veliaj do të kërkojë gjykim me kamera.

Në proces ishte vetëm një i pandehur, dhe konkretisht Elmabn Abule, ndërsa gjithë të tjerët mungonin, ndonëse kishin firmosur prokurën që të përfaqësoheshin nga mbrojtësit e tyre.

Diskutime nga seanca:

Gjatë seancës, Prokurori i SPAK, Ols Dado, u shpreh: “Po shohim që po ndjekin një strategji për të shtyrë procesin. Kemi tetë muaj. E veçuar si kërkesë kjo e Hazizaj nuk paraqet ndonjë interes për ekonominë gjyqësore, vetëm nëse kërkohet gjykim i shkurtuar.”

Hazizaj: “Unë bëra kërkesë fare të thjeshtë, edhe për ekonomi gjyqësore, por edhe referuar ligjit. Vlerësoj se jemi në momentin që gjykata të shprehet për ndarjen e çështjes për klientin tim.”

Avokati i Erion Veliaj: “Prokurori po kërkon të bëjë bashkë kohët, edhe gjykimin paraprak edhe themelin, për të krijuar idenë e zgjatjes në kohë. Kushtetuta përmend procesin e rregullt ligjor. Patjetër që jemi për ekonomi gjyqësore, por në asnjë rast në kurriz të të pandehurve. Kërkesa për të shtyrë seancën nga avokati Simoni, i cili mungon, mendoj që duhet të merret parasysh që të jenë të gjithë në seancë.”

Gjykata: “Në lidhje me kërkesën e Sokol Hazizaj do shprehemi më vonë.”

Gjykata: “Sa i takon se nuk është i pranishëm Fatjon Baci dhe avokati i tij Artan Simoni, gjykata vendosi t’i caktojë një të pandehurit një mbrojtës tjetër, që është Pranvera Doci, e cila do njoftohet dhe duhet të jetë e pranishme në seancën e radhës. Në seancën e radhës të kryhet shoqërimi i detyrueshëm i të pandehurit Fatjon Baci.”

Shtyrja e seancës së sotme sjell edhe pezullimin e afateve të paraburgimit për të pandehurit që janë me masa sigurie.

Top Channel