Një video e Federico Dimarco është bërë virale në rrjetet sociale, duke ndezur debat pas eliminimit të Italisë nga Bosnja në fazën play-off për Kupën e Botës.

Bëhet fjalë për klipin e regjistruar pas ndeshjes kundër Irlandës së Veriut, ku mbrojtësi italian shihet duke festuar avancimin e Bosnjës. Pamjet janë rikthyer fuqishëm në qarkullim pas dështimit të “Azzurrëve”, duke nxitur reagime të shumta dhe kritika ndaj lojtarit dhe skuadrës italiane.

Në rrjetet sociale, shumë përdorues e kanë cilësuar këtë gjest si të papërshtatshëm, duke e lidhur me eliminimin e fundit dhe duke e interpretuar si nënvlerësim të kundërshtarit.

Vetë Dimarco kishte reaguar më herët për këtë çështje, duke sqaruar se bëhej fjalë për një reagim spontan dhe jo mungesë respekti ndaj Bosnjës.

“Respektoj çdo skuadër dhe çdo kombëtare. Ajo që ndodhi ishte thjesht një reagim instinktiv, ndërsa po ndiqnim penalltitë për të kuptuar kundërshtarin tonë. Nuk kishte asnjë qëllim për të ofenduar”, ishte shprehur ai.

Në mbrojtje të tij ka dalë edhe kapiteni i Bosnjës, Edin Džeko, i cili e minimizoi situatën duke e cilësuar si diçka normale.

“Sinqerisht, është një reagim i zakonshëm. Çdokush ka preferencat e veta. Edhe unë ndoshta do të preferoja të shmangia Italinë, por kjo nuk do të thotë asgjë më shumë. Në kohën e rrjeteve sociale duhet të jesh i kujdesshëm”, deklaroi Džeko.

Megjithatë, polemikat nuk janë shuar. Pas eliminimit të Italisë, videoja është shpërndarë sërish masivisht, me komente ironike dhe kritike. Edhe media ndërkombëtare i është bashkuar debatit, duke rikthyer në vëmendje gjestin e Dimarcos në një moment kaq delikat për futbollin italian.

Top Channel