Chelsea ka njoftuar një humbje para taksave prej 301,8 milionë eurosh për sezonin 2024/25, duke vendosur një rekord të ri negativ në historinë e Premier League-s. Kjo shifër tejkalon rekordin e mëparshëm prej 229,1 milionë eurosh që mbahej nga Manchester City në vitin 2011.

Megjithatë, klubi londinez gjeneroi të ardhura prej 567 milionë eurosh, niveli i dytë më i lartë në historinë e tij. Gjatë këtij sezoni, Chelsea fitoi UEFA Conference League dhe Botërorin e Klubeve, si dhe përfundoi në vendin e katërt në kampionatin anglez. Klubi, i blerë në 2022 nga një konsorcium amerikan i udhëhequr nga Todd Boehly dhe Clearlake Capital e Behdad Eghbali, pohon se vazhdon të përmbushë rregullat financiare, si Rregullat e Fitimit dhe Qëndrueshmërisë (PSR), që lejojnë humbje deri në 123 milionë euro brenda tre vjetësh. Vlerat e përdorura për këtë llogaritje ndryshojnë nga humbja bruto para taksave.

Që kur BlueCo mori kontrollin, Chelsea ka investuar më shumë se një miliard euro në lojtarë, duke u fokusuar te talentët e rinj me kontrata afatgjata. Në fillim të sezonit, UEFA gjobiti klubin me 30,5 milionë euro për shkelje të rregullave të raportit të kostove të skuadrës dhe e ka mbajtur nën mbikëqyrje për tre vite.

Burime nga BBC Sport tregojnë se humbjet e raportuara përfshijnë gjoba, si gjoba prej 12 milionë eurosh nga Premier League për pagesa ndaj agjentëve gjatë epokës së Roman Abramovich-it. Përfshihen gjithashtu amortizimet kontabël të lojtarëve të profilit të lartë, si Raheem Sterling, i liruar, dhe Mykhailo Mudryk, i hetuar për një test të dështuar doping.

Chelsea parashikon që të ardhurat të arrijnë nivele rekord në bilancet e ardhshme, të nxitura nga 100 milionë euro nga fitorja në Botërorin e Klubeve, që nuk u përfshinë në vitin financiar të kaluar, dhe rreth 94 milionë euro të ardhura televizive nga UEFA Champions League. Humbja e shpallur është më e ulët se 408,5 milionë eurot e raportuara nga UEFA muajin e kaluar, për shkak të përjashtimit të shitjeve midis klubeve të të njëjtit grup pronarësh, pasi Chelsea ndan pronarë me Strasbourg në Francë. Përveç kësaj, ekipi femëror i Chelsea ka regjistruar një humbje prej 22,7 milionë eurosh në sezonin 2024/25, me të ardhura prej 28,2 milionë eurosh.

Top Channel