Izraeli miratoi ligjin për dënimin me vdekje për vrasësit palestinezë, reagon Hamasi: Po ilustroni politikën tuaj të përgjakshme
Nga Endi Tufa
Të martën mbrëma, gjeografia jonë shpirtërore e futbollit përjeton një asimetri të dhimbshme, por njëkohësisht të jashtëzakonshme. Në njërin krah, kemi një Shqipëri me kokën ulur, ende duke mbledhur copëzat e një ëndrre të thyer në Varshavë. Përballë Ukrainës, luhet një miqësore e ftohtë, pa nerv, e zhveshur nga iluzionet. Në krahun tjetër, Kosova, “vëllai i vogël” që deri dje ecte duke u mbajtur pas dorës sonë, luan 90 minutat e jetës për një biletë që vlen sa vetë historia, e karikuar nga një fitore spektakolare ndaj Sllovakisë.
Çadra Kuqezi dhe hapat e parë të Dardanëve
Për dekada me radhë, flamuri kuqezi ishte i vetmi altar ku luteshin të gjithë shqiptarët. Kombëtarja ishte ekskluziviteti i skenës së madhe. Prishtina, Mitrovica, Gjilani e Tetova merrnin frymë me sukseset dhe dështimet e Tiranës. Dhe Tirana, nga ana e saj, bëri atë që bën çdo vëlla i madh: përdori të gjithë peshën, diplomacinë dhe influencën e saj për të hapur dyert e rënda të UEFA-s dhe FIFA-s për Kosovën. Ishte një lobim i pashembullt, një dorë e shtrirë në momentin kur themelet e futbollit dardan po hidheshin mes njëmijë vështirësish.
Por kur “vëllai i vogël” fillon e rritet, kërkon hapësirën e tij.
Rivaliteti i heshtur: Zilia e rritjes
Rritja e Kosovës solli një dinamikë të re, shpeshherë të parehatshme. Ngjyrat verdheblu filluan të shkëlqejnë, dhe bashkë me to, lindi ajo zili e heshtur, e pathënë me zë të lartë, por e pranishme në çdo tryezë kafenesh sportive. Fillonin llogaritjet: Ku do të shkojë ky talent? Kë do të zgjedhë? Ne u mësuam ta shihnim Kosovën si “fidanishten” tonë dhe e patëm të vështirë të pranonim se ata tashmë ishin një pemë më vete, e aftë për të dhënë frutat e saj. Kishte raste kur fërkimi i interesave krijonte pakënaqësi, një “luftë të ftohtë” për emra të caktuar lojtarësh. Por sot, duke e parë tablonë të plotë, ky nuk ishte një thellim i ndasisë; ishte thjesht një proces i dhimbshëm maturimi i dy poleve që në thelb kanë të njëjtin gjak.
E marta e kontrasteve: Të gëzosh përmes lotëve
Eksperimenti i madh i kësaj të marte është ky: A mund të jesh i lumtur kur shtëpia jote (sportive) sapo ka pësuar një tërmet? Përgjigjja është thellësisht shqiptare: Po, sepse ëndrra nuk ka vdekur, thjesht ka ndërruar ngjyrat e fanellës për një natë.
Disfata ndaj Polonisë djeg. Eliminimi i Shqipërisë është një shans i artë i humbur që kërkon një analizë të thellë, kokëulur dhe pa alibi në ndeshjen ndaj Ukrainës. Por melankolia e Tiranës nuk duhet të errësojë dritën që vjen nga Prishtina. Kosova po tregon një pjekuri taktike dhe një egërsi në fushë (ajo çfarë pamë ndaj Sllovakisë) që ne ndoshta e kishim humbur rrugës.
Përfundimi: Fitorja e tyre është “Bota Jonë”
Si shqiptarë, jemi dy shtete në letër, jemi dy kombëtare në FIFA, por jemi një komb në tribuna. Ka ardhur momenti ta zhveshim petkun e “vëllait të madh e të plotfuqishëm” dhe të jemi tifozët më të zjarrtë të vëllait të vogël që po bën mrekullinë. Kosova nuk po na merr hisen e lavdisë; Kosova po rrit rrezen e krenarisë sonë kombëtare.
Nëse Kosova prek Botërorin, atje nuk do të valëvitet vetëm flamuri me gjashtë yje. Në zemrën e çdo lojtari dardan që do të shkelë në atë bar, rreh edhe një zemër kuqezi. E marta e 31 marsit mund të jetë një natë zhgënjyese për trajnerin Sylvinho dhe djemtë tanë, por është nata ku gjithë Shqipëria duhet të mbajë frymën për Kosovën. Sepse në fund të fundit, nëse ëndrra për të shkuar në Botëror realizohet nga Prishtina, a nuk fitojmë të gjithë?
Top Channel