Dy muaj pas golit të tij të fundit, Jonathan David arrin të rigjejë rrugën e rrjetës. Me 2 penallti të ekzekutuar saktë në harkun e 10 minutave në mesin e pjesës së dytë, sulmuesi i Juventus rikthehet t’i gëzohet golit duke i dhënë mundësinë kombëtares kanadeze që të barazojë rezultatin 2-2 në ndeshjen miqësore me Islandën të luajtur në Toronto.

Sulmuesi i Juventusit nuk shënonte që nga ndeshja në Tardini me Parmën e fituar 4-1 nga Zonja e Vjetër të luajtur në 1 shkurt. Për një sulmues është shumë që të qëndrojë pa shënuar për rreth 2 muaj aq më tepër kur mendon se u transferua në skuadër për të bërë diferencën. Kohët e fundit, David është lënë ‘në harresë’ nga Luciano Spalletti i cili ka preferuar madje të përdorë Yildiz si sulmues të fshehur si dhe të besojë më shumë te të sapokthyerit Vlahovic dhe Milik. Një sinjal i qartë ky edhe për drejtuesit e klubit me trajnerin që nuk është aspak i kënaqur me paraqitjet e atyre që duhet të ishin sulmuesit kryesorë të Juventusit; David dhe Openda. Përpara Botërorit ku Kanadaja është në Grupin B me Zvicrën, Katarin dhe fituesen e Bosnje-Itali, David duhet të japë ndonjë sinjal për të mbajtur fanelën bardhezi.

Dhe dy golat e shënuar në miqësoren e Torontos mund të jenë hapi i parë për të rigjetur atë moment forme që u duk se më në fund u arrit në fillim të vitit 2026 me golat ndaj Sassuolos, Cremoneses, Napolit dhe Parmës. Në rast të kundërt, Juventus mund ta nxjerrë menjëherë në merkato edhe pse e mori me parametra zero më pak se 12 muaj më parë. Mes opsioneve, për ish futbollistin e Lille flitet edhe për një kthim në kampionatin francez me Marseille që shfaqi interesin për të, por ai mund të përdoret në tratativat e Juventusit me Paris Saint Germainin dhe të shkëmbehet me Kolo Muani.

Top Channel