Nga bashkimi i bashkive të vogla me fqinjet e mëdha, te 36 rrethet e deri te kryetarët e qarqeve me zgjedhje, Mazniku zbulon 4 skenarët e PS për Reformën Territoriale

28/03/2026 21:52

Partia Socialiste prezantoi katër skenarët për Reformën e re Administrativo-Territoriale.

Në mbledhjen e përbashkët të kabinetit qeveritar dhe grupit parlamentar, drejtuesi socialist i komisionit parlamentar të reformës territoriale, Arbjan Mazniku, tha se skenarët e reformimit janë bërë me vlerësim të detajuar ligjor dhe në përputhje me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore.

Fokusi kryesor i socialistëve është konsolidimi funksional, që nënkupton se bashkitë e vogla bashkohen me fqinjët më të forta, ndërsa qarqet mbeten si nivel koordinues. Skenar i  dytë i selisë rozë është konsolidimi dhe decentralizimi: bashki të mëdha në shkallën e ish-rretheve si nivel ekzekutiv kryesor, ndërsa ish-bashkitë aktuale marrin statusin e qytetit me kryetar e këshill të zgjedhur drejtpërdrejt.

Forcimi i qarqeve është skenari i tretë, sipas të cilit, ruhen të gjitha bashkitë dhe qarqet, por qarku transformohet nga nivel koordinues në nivel ekzekutiv real me zgjedhje të drejtpërdrejtë — funksionet ndahen sipas natyrës së tyre, jo sipas madhësisë së bashkisë. Së fundi, synohen edhe rajonet strategjike: bashkitë shumë të vogla konsolidohen lehtësisht, qarqet thjeshtësohen, dhe shtohen katër rajone strategjike për planifikimin afatgjatë, infrastrukturën e rëndësishme dhe fondet e BE-së.

Sipas Maznikut, të gjithë këto skenarë do të konsultohen me dëgjesa publike në territor, para se të arrihet paketa ligjore. Ndërkohë, në mbledhjen e përbashkët, kryeministri Edi Rama iu kërkoi ministrave dhe deputetëve që të nisin bashkëbisedimin me qytetarët në të gjithë vendin, duke filluar nga java e ardhshme.

Top Channel