Kombëtarja U19 e papërmbajtshme, shkatërron Maltën 7-1 në kualifikueset e Evropianit, shënon rezultatin më të thellë për të këtë grupmoshe

28/03/2026 17:47

Kombëtarja U19 ishte e papërmbajtshme në sfidën e dytë të Grupit B4 në kualifikueset e Evropianit të kësaj grupmoshe ndaj Maltës duke e shkatërruar me rezultatin 7-1, që përbën edhe rezultatin më të thellë në historinë e Kombëtares U19 duke lënë pas fitoren e vitit 2024 me Lihtenshtejnin 6-0.

Kuqezinjtë zhbllokuan rezultatin në minutën e 21 me Durmisin, por Malta barazoi 5 minuta më vonë me Camillerin. Nuk vonoi shumë dhe skuadra e Fatjon Tafajt shënoi sërish me Gabriel Kullën në minutën e 35 duke marrë kryesimin në 2-1. Pas këtij momenti kuqezinjtë 19 vjeçarë nuk u ndalën më. Pak para mbylljes së pjesës së parë Durmisi shënoi golin e tretë dhe pjesa e parë u mbyll 3-1 për Kombëtaren U19.

Në fillimin e 45 minutave të dyta, Durmisi plotësoi tregolëshin personal duke e çuar rezultatin në 4-1. Më pas Rexhepi shënoi golin e pestë, ndërkohë që goleadën e plotësoi Kulla që shënoi në minutat 72 dhe 80 për të  plotësuar edhe ky tregolëshin personal dhe për të fiksuar fitoren 7-1 të Kombëtares U19. Në ndeshjen tjetër të grupit B4, Norvegjia fitoi 3-0 ndaj Luksemburgut në stadiumin “Niko Dovana”. Në 31 mars, Kombëtarja U19 do të luajë ndeshjen e fundit të këtij raundi kualifikues me Norvegjinë, një ndeshje që do të vendosë edhe fatin e kualifikimit.

Top Channel