Vrasja e Liridona Ademajt/ “Kënaqu tani”, dalin fotot e tre të akuzuarve në gjykatë, dëshmon kushëriri i Murselit: Më kërkoi ta bëjë unë ekzekutimin, i thashë…

27/03/2026 11:34

I akuzuari i tretë për vrasjen e Liridona Ademaj, Kushtrim Kokalla, djali i dajës së Naim Murselit, është paraqitur të premten para trupit gjykues në Gjykatën Themelore të Prishtinës.

Ai është marrë në pyetje nga avokati i tij mbrojtës, Nderc Dodaj, raporton korrespondentja e Top Channel në Kosovë, Leonita Bajrami.

Kokalla ka treguar për takimet që ka pasur me Naim Murselin dhe Granit Plavën, po ashtu të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademaj më 29 nëntor 2023.

Kushtrim Kokalla

Kushtrim Kokalla

Kokalla thotë se në asnjë prej takimeve ku ai ishte prezent nuk është diskutuar për ndonjë plan për kryerjen e vrasjes.

Megjithatë, në takimin e dytë që Kokalla, Plava e Murseli janë takuar në një karburant ku Naim Murseli u ka dhënë para Kushtrim Kokallës e Granit Plavës.

“Kur kemi shkuar me Granitin, është që mua më ka dhënë 300 euro. Jemi ulur e mi ka dhënë mua 300 euro për pagesë të kredisë, pasi që unë veç kam marr kredi për Naimin. Ndërsa 500 euro ia ka dhënë Granitit”, deklaroi Kokalla.

Kokalla ka shtuar se kur Murseli i ka dhënë paratë Plavës i ka thënë “kënaqu”.

“Nuk më kujtohet a i ka thënë diçka Graniti Naimit, por Naimi i ka thënë Granitit, “knaqu”, ku unë mbeta i shkouar. Graniti në prezencën time nuk ja ka kërkuar, Naimi ja dha vet. Unë mbeta i shokuar”, deklaroi Kokalla.

I akuzuari për vënien të Naim Murselit si organizatori i vrasjes dhe Granit Plavës si ekzekutorit, ka thënë po ashtu se Naim Murseli i ka kërkuar që vetë Kushtrim Kokalla të kryej vrasjen, por që ka refuzuar.

Kokalla ka shtuar se ishte në dijeni të problemeve që kanë pasur Murseli me Liridona Ademaj.

“Unë kam qenë në dijeni që kanë probleme, naimi me tani të ndjerën Liridonën. Por nuk jam i vetmi person që jam në dijeni që kanë probleme”, ka treguar Kokalla.

Ai është pyetur nga kryetarja e trupit gjykues se për çfarë probleme bëhet fjalë, për çka Kokalla tha: “Punë xhelozie, të gjithë i kanë ditë problemet”.

I akuzuari Kushtrim Kokalla është pyetur edhe për takimet në ditën e krimit që kishte pasur me Naim Murselin dhe qëndrimin në një hotel me të.

Granit Plava

Granit Plava

“Po ta lexoj një deklaratë që e ke thanë “Në momentin që kemi hyrë në dhomë, naimi më është dretuar me fjalët e kreva këtë punë dhe unë jam shokuar menjëherë dhe i kam thënë nuk dua të di asgjë më shumë lidhur me këtë”, pastaj ke vazhdu “Pastaj po atë natë Graniti më ka thirrë për me shku në klub”, a ju kujtohet?”, tha avokati.

Kokalla: Më kujtohet, por se kam marr parasysh, sepse i kam thënë mos më folë për këso gjërash.

Avokati: Pas kësaj ngjarjes a je taku me Granitin, a ke bisedu me Granitin, sa je kanë në dhomë me Naimin a keni biseduar me Granitin?

Kokalla: Sa kam qëndruar në dhomë atë natë Graniti më ka shkruar a po vjen në “Lit” në diskotekë në Prishtinë. Aty ka qenë edhe Valon Lluka. Unë i kam thënë “jo nuk mund të vij sepse kam një rast”. Nuk e kam takuar e as nuk kam folur me të”.

Kokalla është pyetur edhe për raportet që familja e tij ka me familjen e Liridona Ademaj.

“Ka 60 vite që kemi miqësi me familjen Ademaj dhe gjithmonë kemi pas raporte të mira me ta. Nuk kemi pas asgjë të keqe mes vete. Por sot nuk po e shoh Leonardin këtu që me i thanë që bashkëshorten tënde çka e kam unë. E kam tezajkë. Falë meje ai është martu e sot është prind”, tha ai.

Kokalla është pyetur po ashtu nëse ka marrë para nga Naim Murseli për të vrarë Liridona Ademaj, për çka deklaroi se nuk ka marr.

Avokati: Kthehemi prapa pak po ta bëj një pyetje që ke deklaru: A të ka ofru Naimi të holla për vrasjen e Liridonës?

Kokalla: Nuk më kujtohet që më ka bë ofertë për vrasjen e gruas së tij.

Avokati: Të ia përkujtojmë në polici ka deklaruar “para më ka ofruar për këtë rast, por asnjëherë nuk kam pranuar, para as pas rastit”.

Kokalla: Po kjo më kujtohet. As para as mas rastit. Unë kam deklaruar më gjatë në polici, ju kam treguar por ata nuk i kanë futur në procesverbal. U kam treguar për problemet, ua kam treguar mesazhet e problemeve që kanë pas”.

Top Channel