Rritja e çmimit të karburanteve në vend, ministrja Ibrahimaj: Po përgatisim edhe një akt për ndërhyrje në reduktimin e akcizës

27/03/2026 10:53

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, në një deklaratë për mediat një ditë pas mbledhjes së Bordit të Transparencës për çmimin e karburanteve, u shpreh se qeveria po bën gati edhe një akt për të ndërhyrë në uljen e akcizës.

E pyetur nga gazetarja e Top Channel Rudina Muça për paketa mbështetëse për qytetarët në këtë ‘valë’ luhatjesh dhe rritje çmimesh, ajo u shpreh: Sa i takon ndërhyrjeve të tjera, do të bëjmë një akt që do ndërhyjë në reduktimin e akcizës në nivel 20%, do të miratohet në këshillim e Ministrave dhe do behet publike në momentin e duhur.

Kemi gjykuar që për pensionistët dhe shtresat në nevojë çmimi më i ndjeshëm është energjia elektrike dhe shporta bazë e ushqimeve. Nëse do të ketë nevojë për ndërhyrje, siç kemi bërë më parë, nuk ndryshuam çmimin e energjisë dhe ndërhymë në disa paketa mbështetëse për kategoritë në nevojë.

“Arsyeja pse ne nuk e kemi ngrit më parë Bordin, është sepse kemi bërë monitorim ditor. Nuk ka pasur abuzim deri ditën e djeshme, që as ajo dje nuk mund të konsiderohet si abuzim. Në bazë ditore kemi kalkuluar sa janë çmimet dhe sa do ishin me Bord, dhe kanë qenë të balancuara deri ditën e djeshme. Bursa po luhatet me baza ditore, ne gjykuam ta fillojmë mekanizmin duke qenë se nuk pati reflektim brenda ditës”, tha ajo.

Sa i përket luhatjes së çmimeve të shportës me produktet bazë, ministrja tha se po monitorohet çmimi i 80 produkteve ushqimore.

“Po monitorojmë një shportë me 80 ushqime bazë, janë reflektuar rritje çmimesh, do aktivizojmë grupe monitorimi për verifikim këto çmime. Do marrim vendime për çmimet e shportës së konsumit”, tha ministrja.

Top Channel