“Kallëzuesi i ish-presidentit bënte sekserin për dëshmi të rreme”, avokati i Ilir Metës: Akuzat ndaj tij në dosje, të pavërteta

27/03/2026 12:00

Avokati i Ilir Metës ka dalë këtë të premte në një deklaratë për mediat, duke pohuar se akuzat që janë ngritur ndaj klientit të tij, janë të pavërteta.

Sipas avokatit të ish-Presidentit Ilir Meta, detajet nga dosja e tij janë të montuara. Avokati Kujtim Cakrani tha se kallëzuesi i Presidentit Meta ka bërë “sekserin për dëshmi të rreme”.

Deklarata e plotë e avokatit të Metës:

Kjo çështje është vijimësia e asaj që ka ndodhur më 21 janar të vitit 2011, sepse janë të njëjtit personazh. Dhe janë të njëjtët aktorë të cilët, në vijimësi, kanë dashur që presidentin, zotin Meta, ta penalizojnë, ta diskretitojnë publikisht për akuza për të cilat nuk qëndrojnë dhe për afera korruptive për të cilat nuk ekzistojnë. Kështu që sot do t’ju paraqesim se si ka nisur kjo çështje përsa i përket episodit të CEZ-DIA-s dhe përse kjo është një çështje e montuar keq nga ata që kishin interes, dhe padyshim edhe nga Prokuroria e Posaçme.

Aty nga viti 2014, shtetasja Vojsava Ismailaj i dërgonte mesazhe të vijueshme ish-kryetarit të Kuvendit, zotit Meta, ku i kërkonte takim dhe e bezdiste atë, duke justifikuar se donte të sqaronte disa probleme. Ndërkohë, bashkëshorti i saj, Kastriot Ismailaj, në atë kohë ishte nën përgjegjësi penale dhe po vuante procese gjyqësore për akuza të cilat nuk kanë lidhje me zotin Meta, por me çështjen e tij me faturat që kishte me ÇEZ-in.

Në këtë kuptim, zoti Meta, pasi kuptoi që zonja Ismailaj ishte penguar figurativisht nga persona që po e shantazhonin dhe intimidonin psikologjikisht, dhe duke u ndjerë e bezdisur nga mesazhet provokuese, i drejtohet me kallëzim penal, duke e paraqitur atë përpara prokurorit të përgjithshëm të kohës, zotit Adriatik Llalla. Më pas, kjo çështje është pushuar për shkak të amnistisë së vitit 2016.

Kallëzimi penal i zotit Meta konsistonte tek keqpërdorimi i thirrjeve telefonike, të cilat zonja Ismailaj i përdorte në mënyrë të vazhdueshme. Pra, regjistrohet kallëzimi penal midis viteve 2000 dhe 2016. Pas hetimeve, dhe pasi zoti Meta u pyet në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, ky kallëzim penal u pushua për shkak të amnistisë së kohës. Dokumenti mban numrin një dhe datën e pushimit 18.1.2017.

Më pas, dokumenti tjetër, shumë i rëndësishëm dhe komprometues, tregon ndërhyrjen e kryetarit të Komisionit të Ligjeve në Kuvendin e Shqipërisë, zotit Spartak Braho. Ky dokument, me numrin e protokollit 30 20, datë 27.9.2015, i është drejtuar zotit Saimir Tahiri, ministër i Punëve të Brendshme i kohës, për dijeni zotit Bujar Nishani, president i Republikës, dhe për dijeni kryetarit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, zotit Meta, si dhe ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Top Channel