Humbja e Kombëtares në Poloni, Ilir Demalia: Për kritizerët dhe “kompetentët”

27/03/2026 10:40

Nga Ilir Demalia

Humbja në Varshavë nuk ishte thjesht një rezultat negativ në tabelë; ishte një ndeshje që ekspozoi diferencën mes realitetit të fushës dhe perceptimit që shpesh krijohet nga “kritizerët” dhe “kompetentët” e përhershëm të studiove televizive.

Shqipëria përballë Polonisë nuk ishte një skuadër inferiore. Përkundrazi, për rreth 75 minuta lojë, përjashto çerekorëshin e parë ku vendasit ushtruan presion natyral, ekipi ynë tregoi organizim, disiplinë taktike dhe—mbi të gjitha—personalitet. Ky është një ndryshim thelbësor nga Shqipëria e viteve më parë, që shpesh hynte në fushë për të mbijetuar, jo për të konkurruar.

Goli i Arbër Hoxhës në minutën e 43-të ishte produkt i një filozofie loje që sot është e konsoliduar: tranzicion i shpejtë, shfrytëzim i hapësirave dhe efikasitet. Shqipëria e mbylli pjesën e parë në avantazh jo rastësisht, por si rezultat i një loje të lexuar mirë.

Pika e kthesës nuk ishte superioriteti polak, por gabimet tona. Rasti i humbur i N. Bajrami në fillim të pjesës së dytë ishte moment psikologjik: nga 2-0 potencial, në një ndeshje të hapur. Në nivele të tilla, këto janë detaje që kushtojnë. Po ashtu, gabimi i T. Strakoshka në golin e R. Levandoskit nuk është thjesht një episod; është një kujtesë se përballë lojtarëve të këtij kalibri nuk të falet asgjë. Ndërsa goditja e P. Zilienskit ishte cilësi individuale—ajo që shpesh bën diferencën në këto ndeshje.

Por këtu hyn në lojë narrativa e gabuar që përpiqen të imponojnë disa: sikur Shqipëria “humbi sepse nuk di”, apo “sepse nuk është në nivel”. Kjo është një analizë dembele.

Le të vendosim disa fakte në tavolinë: Polonia ka një histori të konsoliduar në futbollin botëror, me 9 pjesëmarrje në Kupën e Botës dhe dy herë vend të tretë.
Shqipëria, përkundrazi, është një projekt në rritje, që vetëm në dekadën e fundit ka filluar të ndërtojë identitet dhe vazhdimësi.
Diferenca sot nuk është më strukturore, por episodike.

Dhe kjo është meritë direkte e punës institucionale të FSHF dhe drejtimit të Presidentit A. Duka Mund të ketë kritika për çdo institucion, por mohimi i progresit është ose mungesë sinqeriteti, ose qëllim i keq.

Sot Shqipëria:
Ka infrastrukturë shumë më të avancuar se 15 vite më parë
Ka prezencë të qëndrueshme në kompeticionet europiane
Prodhon dhe aktivizon lojtarë në liga cilësore
Ka një identitet loje të dallueshëm

“Kritizerët kronikë” dhe “kompetentët” e vetëshpallur shpesh jetojnë me nostalgjinë e dështimit, sepse suksesi kërkon analizë, ndërsa dështimi shitet më lehtë si spektakël. Ata nuk matin progresin, por kërkojnë perfeksion absolut në një realitet që nuk e lejon.

Të thuash sot që Shqipëria nuk është në nivel, pas një ndeshjeje ku dominon në pjesë të mëdha kundër një skuadre si Polonia, është të mos kuptosh futbollin modern. Diferencat nuk maten më me histori, por me performancë në 90 minuta—dhe në këto 90 minuta Shqipëria ishte aty.

Kjo humbje nuk është hap pas; është konfirmim se ekipi kombëtar është bërë konkurrues real. Ajo që mungon është cinizmi për të mbyllur ndeshje dhe përvoja për të menaxhuar avantazhin—elementë që vijnë vetëm duke luajtur në këtë nivel.

Në fund, pyetja nuk është pse humbëm dje. Pyetja e vërtetë është: a jemi sot një ekip që mund të përballet si i barabartë me skuadra të këtij niveli?

Përgjigjja, për këdo që e pa ndeshjen pa paragjykim, është po.

Top Channel