Ngadalëson ekonomia, INSTAT: Në 2025 ritme më të moderuara rritjeje, ndërtimi e administrata kontributin më të madh

26/03/2026 20:12

Ekonomia shqiptare ngadalësoi ritmet e rritjes gjatë vitit 2025.

Sipas të dhënave paraprake të publikuara nga INSTAT, Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 3.79% duke regjistruar nivelin më të ulët në 5 vitet e fundit. Ndërsa një vit më parë, ekonomia u zgjerua me 4.05%.

Ndalur në tremujorin e fundit kontributin më të madh në rritjen ekonomike e dha sektori i ndërtimit me 1.17 pikë përqindje, i ndjekur nga “Administrata publike, Arsimi dhe Shëndetësia” me 1.02 pikë përqindje.

Një ndikim pozitiv dhanë edhe taksat neto mbi produktet me 1.54 pikë përqindje, aktivitetet e pasurive të paluajtshme me 0.32 pikë përqindje, si edhe tregtia, transporti, akomodimi dhe shërbimi ushqimor me 0.22 pikë përqindje. Nga ana tjetër, bujqësia, industria, energjia dhe uji, si edhe informacioni dhe komunikacioni, ndikuan negativisht në ecurinë e ekonomisë.

Në tërësi, ecuria e vitit 2025 tregon një ekonomi që vijon të rritet, por me ritme më të moderuara dhe e mbështetur kryesisht nga sektorë të brendshëm, si ndërtimi dhe administrata publike. Rritja ekonomike në 2025 ishte edhe më e ulët se parashikimet e Ministrisë së financave, të cilat paraqisnin një pritshmëri deri ne 4.1%, ndërsa më pranë parashikimeve të institucioneve ndërkombëtare, të cilat e kishin projeksionin nga 3.6-3.8%

Top Channel