Kombëtarja dhe Kosova në momentin historik/ Mbështetja vjen dhe nga ylli i pop-it, Rita Ora
Sonte është nata, është nata që Kombëtarja të shkruajë historinë, është nata që përfaqësuesja kuqezi të ngrejë peshë një komb të tërë. Sytë dhe veshët e të gjithë shqiptarëve në Shqipëri dhe kudo do të jenë në Varshavë ku në orën 20:45 skuadra kuqezi ka një takim të madh me historinë teksa do të përballet me Poloninë për të vazhduar me ëndrrën botëror.
Në PGE Narowody, padyshim që nuk do të jetë një përballje e lehtë për kuqezinjtë e drejtuar nga Sylvinho që vijnë në këtë përballje me disa mungesa sidomos në repartin e sulmit. Të besuarit e Sylvinhos nuk shihen favoritë në këtë përballje por ashtu siç e tha edhe vetë trajneri në konferencën për shtyp, në 90 minuta mund të ndodhë gjithçka.
Ndeshja do të luhet në një stadium me kapacitet me 58 mijë vende me kombëtaren që ka pasur vetëm 5% të saj në dispozicion dhe biletat janë shitur të gjitha në një kohë shumë të shkurtër. Por Kombëtaren nuk do ta shohin vetëm ata që kanë mundur të shkojnë në Varshavë, por edhe miliona shqiptarë të tjerë kudo nëpër bote përmes platformës Digitalb. Sfida mes Polonisë dhe Shqipërisë është një ndeshje unike, nëse 90 minutëshi do të mbyllet në barazim, do të kalohet në kohën shtesë e ndoshta edhe te penalltitë.
Në rast fitoreje skuadra kombëtare do të ketë si pengesë të radhës në realizimin e ëndrrës Ukrainën ose Suedinë. Por për atë çfarë do të ndodhë më pas do të mendojmë më vonë, tani kemi sfidën me Poloninë dhe të gjithë jemi gjithë sy e veshë me shpresën dhe ëndrrën e madhe për të parë avancimin e skuadrës sonë kombëtare.
Top Channel